Zejnulla VESELI
Shkup, 26 shtator – Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë është një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Maqedonisë, e cila tani më kemi dorëzuar kërkesë deri te “Western Ballkan Investment” të përpilojë dokumentacionin e plotë me qëllim të mos na përsëriten të njëjtat gabime si me të gjitha autostradat tjera që punohen në Maqedoni. Kështu thotë ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski, i cili vonesën për ndërtimin e kësaj rruge e lidh me, siç thotë ai, gabimet e Qeverisë së mëparshme që “nuk kanë siguruar projekt adekuat për këtë rrugë”, njofton gazeta KOHA. Nga deklarata e ministrit Sugarevski del se as vitin e ardhshëm kjo rrugë nuk do të mund të punohet, pasi siç tha të hënën ai, në Buxhetin e vitit 2018 do të sigurohen mjete vetëm për projekt-dokumentacionin e rrugës. Madje, njëjtë sikurse ministrat e mëparshëm të Transportit, edhe Sugarevski nuk ka një përgjigje të saktë se kur do të mund të nisin punimet e rrugës 20 kilometërshe nga Qarkorja e Shkupit e deri në vendkalimin kufitar Bllacë. “Me Buxhetin e vitit 2018 do të sigurohen mjete buxhetore dhe nga fillimi të përgatitet projekt-dokumentacioni i saktë, sepse studimi fizibiliti i fundit i përgatitur nga ‘Western Ballkan Investment’ ka rezultuar se projekti i parë për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë përmban shumë mangësi dhe paqartësi. Dhe, pasi të kemi gati studimin, atëherë do të mund të parashohim dhe mjetet financiare që do të nevojiten për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë”, tha Sugarevski. Ai më tej u shpreh se vetëm kur të kemi gati të gjithë dokumentacionin, atëherë mund të flasim se sa do të jetë konstrukti financiar për ndërtimin e këtij aksi rrugor, si dhe kur do të fillohet më ndërtimin e kësaj rruge. “Më e rëndësishme për momentin është të kemi dokumentacioni e plotë që të mos na ndodhë si me projekte e tjera të autostradave që po ndërtohen, ndërsa të sigurojmë mjete shtesë për shkak të gabimeve të bëra për kostot finale të autostradave”, tha Sugarevski. Ai nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet nëse edhe janë siguruar mjetet për studimin fizibiliti. “Se pse Qeveria e mëparshme ka shpallur disa tenderë për dhënien me koncesion të këtij aksi në bazë të projektit ekzistues, duhet ti pyesni ata. Mendoj se bëhet fjalë për gënjeshtër klasike. Supozoj se garnitura e mëparshme e Qeverisë siç ka vepruar gjithmonë, shpalljen e disa tenderëve për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë e kanë shfrytëzuar sa për tu lavdëruar se po ndërtojmë rrugë, ndërsa pasqyra reale tregon se plotë nëntë vite ende nuk është filluar ndërtimi i këtij aksi rrugor. Për momentin, shumë me rëndësi është të sigurojmë mjete financiare për përgatitjen e projektit të ri, ndërsa se kur do të parashihen mjete financiare për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë, do të dihen vetëm pasi të kemi gati studimin fizibiliti. Me siguri vitin e ardhshëm do ta kemi gati dokumentacionin e plotë, ndërsa sa i përket fillimit të punëve për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë, nuk mund të them me saktësi se kur do të fillohet ndërtimi i kësaj rruge”, tha Sugarevski.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.