Vazhdojnë dëshmitë publike në procesin hetimor ndaj Trumpit

1

Në Komitetin për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë vazhduar dëshmitë, në kuadër të hetimit ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Koloneli, Alexander Vindman, një oficer i ushtrisë amerikane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, gjatë dëshmisë u shpreh se ai beson, se një telefonatë e 25 korrikut midis presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit të Ukrainës ishte “e parregullt”.

Ai tha se i raportoi dyshimet e tij në zinxhirin komandues, pasi e ndjeu se ajo “do të dëmtonte sigurinë kombëtare”.

Vindman, eksperti më i lartë për Ukrainën i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tha se “është e parregullt për presidentin e Shteteve të Bashkuara, që të kërkojë nga një qeveri të huaj, të hetojë një qytetar amerikan dhe kundërshtar politik “.

Vindman dëshmoi në javën e dytë të seancave dëgjimore publike, në kuadër të hetimit ndaj presidentit Trump.

Dëshminë e saj e paraqiti edhe Jennifer Williams, këshilltare e nënpresidentit të SHBA-së, Mike Pence. Ajo iu tha ligjvënësve se thirrja e 25 korrikut “përfshinte diskutimin e asaj që u duk si një çështje politikës së brendshme “.

Hetimet ndaj presidentit Trump, në kuadër të procesit të nisur për shkarkimin e tij nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve nisën kur një informator i paidentifikuar dërgoi një ankesë, përmes së cilës thoshte se presidenti amerikan gjatë një telefonate me presidentin e Ukrainës Volodymir Zelenskey, në muajin korrik, i ka kërkuar atij që Ukraina të hetoj rivalin e tij politik, Joe Biden dhe djalin e tij Hunter Biden, për shkak të lidhjeve me një kompani në Ukrainë.

Joe Biden ka qenë nënpresident i SHBA-së, dhe tani po kandidon për të fituar nominimin e demokratëve, për të garuar përballë republikanit, Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Republikanët e kanë hedhur poshtë procesin e hetimit, duke thënë se presidenti nuk bëri asgjë të denjë për fajësim.

Comments are closed.