Shkup, 20 shkurt – Konkursi partiak në LSDM për paraqitje të kandidatëve për president shteti ka përfunduar dje, ndërsa zyrtarisht është e njohur vetëm kandidatura e ish ambasadorit Gjorgji Filipov. Partia qeveritare nuk ka publikuar emra tjerë, në tentim të gjejë kandidat të pranueshëm për qytetarët nga gjitha bashkësitë etnike dhe shtresat sociale, personalitet që do e paraqesë idenë: një shoqëri për të gjithë.
Që të gjendet dhe harmonizohet kandidati konsensual, lideri i LSDM-së Zoran Zaev dje dhe pardje ka pasur takime të ndara me liderët e tre partive shqiptare- Ali Ahmeti nga BDI, Menduh Thaçin e PDSH-së dhe partinë Alternativa të Afrim Gashit.
Organet partiake të LSDM-së dhe BDI-së, ose sekretarët e tyre organizativ deri në fund të javës do të vazhdojnë me konsultimet për kandidat të mundshëm të përbashkët për president.
“Besoj se që nga vetë fillimi i analizës, bërja e përzgjedhjeve dhe zgjedhja e kandidatit para të cilit do të qëndronin të gjithë, përfaqësuesit e qytetarëve përmes subjekteve politike të cilat i udhëheqim do të jap rezultat”, tha Zaev.
LSDM-ja javën e ardhshme do t’i shqyrtojë të gjitha analizat dhe anketat, për, siç tha, “të fitojmë informacione kthyese nga të gjitha partitë politike që të mund të sjellim vendimin tonë për kandidatin para të cilit do të qëndrojmë si subjekt politik, por edhe si partitë politike gjithëpërfshirëse”.
“Mbetem optimist se kjo është mënyra e vërtetë e veprimit në këtë proces serioz siç është zgjedhja e presidentit të shtetit. Besoj se ky proces do të jetë një cilësi e re në jetën gjithëpërfshirëse të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së veriut, por do të jetë edhe ndihmë e madhe për periudhën dhe proceset të cilat i kemi përpara nesh”, tha Zaev.
“Ne kemi përcaktimet tona. Dëshirojmë që kandidati të jetë sa më i pranueshëm nga të gjithë qytetarët. Jo se nuk kemi edhe opsione të tjera, por duam dhe ne të kontribuojmë të vihet deri te ai kandidat i përbashkët. Nëse arrihet sukses – mirë, nëse jo, normalisht dhe si parti politike do të marrim vendime në organet tona. Nëse nuk përmbushen kriteret që ne do të donim t’i përmbushë ndonjë kandidat presidencial, atëherë do të sjellim zgjidhjen tonë”, deklaroi nga ana tjetër Afrim Gashi në Klubin e deputetëve pas takimit me Zaevin.
Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi tha se do të ishte mirë të nominohet kandidat i Qeverisë që do të thotë, siç tha, “vazhdimi i normalizimit të kësaj politike”.
“Biseduam për disa emra, por e lamë të kthehemi në partitë tona, të bisedojmë me strukturat tona dhe pastaj së bashku të vendosim cili është emri që renditet më lartë”, deklaroi Thaçi.
Bisedimet për kandidat konsensual vazhdojnë, Zaev ka paralajmëruar takim edhe me partitë opozitare Aleanca për Shqiptarët të Ziadin Selës sot dhe me Besën e Bilall Kasamit nesër. Ai është optimist se ata pozitivisht do të prononcohen për këtë qasje dhe të shtrirjes së dorës.
Kongresi i LSDM-së është caktuar më 3 mars, ndërsa Zaev paralajmëroi se partia javën e ardhshme do të shqyrtojë të gjitha analizat dhe anketat që të merr informatë kthyese nga gjitha partitë politike.
“Që të mund dhe në të sjellim vendim për kandidatin pas të cilit do të rreshtohemi si subjekt politik”, ka thënë Zaev dje pas përfundimit të takimeve konsultative.
Në zgjedhjet e gjashta presidenciale të caktuara më 21 prill VMRO-DPMNE do të merr pjesë me profesoreshën Gordana Siljanovska- Davkova e cila të shtunën është zgjedhur me shumicë votash në Konventën në Strugë.
Filip Petrovski i cili ka qenë mes nëntë kandidatëve të partisë opozitare dhe nuk mori mbështetjen, dje paralajmëroi se do të mbledh 10 mijë nënshkrime për kandidaturën e zgjedhjeve presidenciale. (koha.mk)