Ankara, 16 tetor – Këshilli për siguri kombëtare e Turqisë pas mbledhjes së sotme rekomandon që të vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme në vend, e vendosur pas tentimit të vitit të kaluar për grusht shtet. Masa e propozuar do të parashtrohet për votim në Parlamentin turk. Paraprakisht, Parlamenti turk e vazhdoi gjendjen e jashtëzakonshme në Turqi deri më 19 nëntor. Këshilli sot rekomandoi edhe mbylljen e hapësirës ajrore turke për aeroplanë nga Kurdistani i Irakut. Sipas Këshillit, për momentin më së miri është që pika kufitare irakiane, që është nën kontroll të Kurdistanit të Irakut, të kalojë nën kontroll të Qeverisë qendrore në Bagdad.