Kuvendi i Republikës së Maqedonisë do ta vazhdojë seancën e gjashtë në rend dite të së cilës është Propozim vendimi për dhënie të pëlqimit për aktet e përgjithshme të Avokatit të Popullit. Avokati i popullit Ixhet Memeti dje në sqarim theksoi se Ligji i ri për Avokatin e Popullit nuk i realizon në tërësi nevojat për pavarësi financiare të këtij institucioni dhe në të as nuk janë përfshirë rekomandimet e Pribesë.
Memeti tha se në Raportin e Pribesë, ka pasur disa rekomandime kyçe që do të mundësojnë përmirësim të punës së institucionit Avokati i Popullit. Një nga rekomandimet kyçe ishte vendosja e dënimeve për ata që e pengojnë punën e Avokatit të Popullit, por edhe formim ad hok komisioneve anketuese për lëndët dhe rastet që do t’i ngrejë ky institucion. Shtoi se Maqedonia që nga aspekti formal-juridik nuk ka krijuar kushte që të ketë institucion kombëtar Avokati i Popullit i cili do të punojë me kapacitet të plotë për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Pas fjalimit të tij vijoi seria e kërkesave për pauzë nga deputetët e VMRO-DPMNE-së që të shqyrtohen stenogramet nga fjalimi, për çka kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e ndërpreu seancën dhe vazhdimin e saj e caktoi për sot. Në rend dite të kësaj seanca është edhe shkarkimi i prokurorit publik Marko Zvërlevski, propozim-ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune të parashtruar nga Nolla Ismajlloska, Magdalena Manaskova dhe Vesna Pemova dhe raportet vjetore për punën e shumë institucioneve. Deputetët duhet të debatojnë edhe për gjendjen me deponinë e paligjshme në Strugë, propozim i parashtruar nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Përveç kësaj, vazhdim të seancës sot do të mbajë edhe Komisioni kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.