Laura PAPRANIKU
Shkup, 5 mars – Përpilimi i listave te reja të lekturave shkollore nuk duhet bërë vetëm sa për të thënën se po ndryshohet diçka. Ajo që sipas arsimtareve të gjuhës dhe letërsisë shqipe është e rëndësishëm më së tepërmi në këtë proces ka të bëjë me caktimin e librave nga letërsia moderne për fëmijë, shkruan gazeta KOHA. Nxënësve duhet tu ofrohen romane që janë sipas shijeve të tyre dhe jo lektura të cilat flasin për ngjarje të periudhës së dy luftërave botërore, pra ët shekullit të kaluar. Përveç kësaj Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) duhet të kujdeset edhe për furnizimin e bibliotekave të shkollave me libra, vërejnë ata. Biblioteka e Shkollës Fillore “Vasil Gllavinov” në Shkup nuk ka as edhe një lekturë shkollore në gjuhën shqipe, për nxënësit e ciklit të larët të arsimit nëntëvjeçar.
NXËNËSIT DUHET VETË T’I SIGUROJNË LEKTURAT
“Për nxënësit nga klasa V deri IX nuk kemi asnjë lekturë shkollore. Pra, është zero numri i lekturave për këta nxënës”, tregon Ganimete Nuredini, arsimtare e gjuhës dhe letërsisë shqipe në këtë shkollë. Problemin e mungesës së lekturave thotë se e ka paraqitur te drejtoria e shkollës, kjo e fundit e ka transmetuar problemin në Komunë dhe Ministri. Mirëpo, situata ka mbetur e pa ndryshuar. Sot e 12 vite prej se në SHF “Vasil Gllavinov” ka nis formimi i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, as Komuna e Çairit ku graviton kjo shkollë dhe as MASH e cila duhet të furnizojë bibliotekat e shkollave, biblioteka e SHF “Vasil Gllavinov” ka mbetur e zbrazët. Nxënësve u duhet të gjenden vetë për të siguruar lekturat, pra të vrapojnë pas bibliotekave të komunës, qytetit apo ti huazojnë nga shokët e shkollave tjera. Në gjithë këtë situatë, arsimtarja Nuredini thotë se është fat i mirë që nxënësit e kësaj shkollë vijnë kryesisht nga familje që kanë traditë leximi.
“Janë disa nxënës në shkollë të cilët të befasojnë për kulturën e leximit të librave. Kanë biblioteka nëpër shtëpitë e tyre dhe pjesën më të madhe të lekturave që duhet ta punojmë në shkollë ata i kanë në shtëpitë e tyre. Me këta nxënës është kënaqësi të punosh në orën e analizës së lekturave”, shpjegon arsimtarja. Kreu i komunës së Çairit, Visar Ganiu, shprehet i hapur për të ndihmuar shkollat në pajisjen e bibliotekave me libra. “Kam kërkuar prej të gjithë drejtorëve të shkollave, që janë nën administrimin e Komunës që të listojnë problemet që kanë për realizmin e procesit mësimor. Këtu hyjnë padyshim edhe librat dhe lekturat e bibliotekave. Si komunë do të shohim të bëjmë më të mirën për t’ju ardhur në ndihmë shkollave”, thotë Ganiu.
PREMTOHET NJË BIBLIOTEKE MODERNE KOMUNALE
Në kontekst të kësaj, i pari i Komunës së Çairit pohon se ka në plan themelimin e një Biblioteke moderne komunale e cila do të jetë në shërbim jo vetëm të nxënësve por edhe të qytetarëve. Ndërkaq, zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi, thotë se për momentin MASH nuk ka ndonjë program kundrejt mungesës së lekturave nëpër bibliotekat e shkollave. Por, thotë se do të shqyrtohet edhe kjo problematikë.
Për biblioteka të varfër dhe me tituj të vjetërsuar të librave flasin dhe arsimtaret Emine Ramuka në SHF “Imri Elezi” dhe Selvete Fidan në SHF “Liria”.
Sipas tyre është mëkat që, bibliotekat e shkollave janë lënë në neglizhencën e institucionet kompetente të cilat duhet të furnizojnë çdo vit shkollat me lektura, libra dhe romane për nevojat e nxënësve përkatës.
“Meqë ka numër të kufizuar lekturash, disa herë nga 10, 12 apo 15 copë për një libër të caktuar, leximin e lekturës e bëjmë me radhë, Nxënësit ndahen nëpër grupe, ose shkojnë në bibliotekën e Komunës për lektura. Ky ndërlikim normal që e vështirëson punën me lekturat shkollore”, pohon Ramuka, ndërsa nënvizon se është problem që përsëritet secilin muaj.
Sipas programit mësimor të lëndës së gjuhës dhe letërsisë, plotëson Fida, nxënësit duhet të lexojnë çdo muaj nga një lekturë, pra tetë në vit. Edhe është vërtetë e lodhshme të ballafaqohesh çdo muaj me të njëjtin problem, me lekturat që para së gjithash mungojnë në bibliotekën e shkollës. Pastaj, “përmbajtja e lekturave është një problem që duhet të zgjidhet në nivel të ekspertëve”, konsideron Ajnur Bislimi, arsimtare ne SHF “Ismail Qemali”. Lidhur me bibliotekën ajo pohon se në shkollë i posedojnë titujt e lekturave që janë caktuar të lexohen me plan-program edhe pse jo mjaftueshëm në numër.
“Nxënësit lexojnë, por jo sa duhet. Ka rënë interesimi për librin mbase për shkak të zhvillimit teknologjik. Por në humbjen e interesimit mendoj që ka ndikuar edhe cilësia e lekturave. Titujt janë të vjetër dhe përmbajtja e lekturave nuk nxit interesimin e nxënësve”, shprehet Bislimi. Do të ishte shumë mirë, plotëson më tej ajo, që MASH të ndryshon listat e lekturave dhe të ofron libra që kënaqin shijet e nxënësve. (koha.mk)