Nevojitet të ndihmohet dhe jo të pengohet legalizimi i fermave nëpër fshatra, apo të mbështetet hapja e fermave të reja jashtë fshatit me infrastrukturën e nevojshme, duke filluar nga kyçja e rrymës, ujit, rrugës…
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 shkurt – Në periudhën e kaluar përkundër ndarjes së qindra milion eurove të subvencioneve, megjithatë shumë ngadalë u zëvendësua importi i prodhimeve bujqësore, por edhe atyre ushqimore me prodhimtari vendore. Rezultate më të mira në eksport arrihen vetëm në eksportin e duhanit, pemë perimeve dhe verës, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat statistikore tregojnë se në vitin 2017, Maqedonia ka importuar mish pule në vlerë prej 47 milionë euro, qumësht dhe përpunime të qumështit në vlerë prej 45 milionë euro, mish viçi me vlerë prej 28 milionë euro, grurë në vlerë prej afër 16 milionë euro, miell të grurit në vlerë prej 12 milionë euro, misër në vlerë prej 11 milion euro dhe bile dhe patate në vlerë prej afër 5 milionë euro. Bile kemi importuar edhe sheqer në vlerë prej 33 milionë euro, të cilin dikur jo vetëm që e kemi prodhuar mjaftueshëm për nevojat e popullatës, por edhe e kemi eksportuar.
Nga Shoqatat e bujqve thonë se subvencionet janë të mirëserdhura, por jo edhe të mjaftueshme për prodhimtarinë bujqësore në shtet.
“Dikur me mijëra bujq në Pellagoni kanë ekzistuar nga prodhimi i pangjarit të sheqerit, ndërsa tani fabrika e sheqerit nuk punon dhe gjendet në falimentim. Andaj shteti nevojitet të gjejë mënyrë që ajo të nisë me punë, me qëllim që të mos kemi import, por eksport të sheqerit duke siguruar edhe ekzistencë të bujqve. Njëherazi në vitin 1998 , gruri është grumbulluar me 12 denarë për kilogram që së bashku me subvencionin prej dy denarë dhe 6 denarë të transportit u sillte fermerëve 14.6 denarë për kilogram me një çmim të naftës prej 17 denarë. Tani bile nuk respektohet as ligji që përcakton se shteti duhet të mbulojë dallimin midis çmimit prodhues dhe grumbullues”, thotë Memet Sinani, anëtar i Këshillit Drejtues të Federatës së Fermerëve të Maqedonisë.
Sipas tij, subvencionet e bëjnë punën e tyre, por nuk mjaftojnë. “Me qëllim që të zëvendësojmë importin së paku të prodhimeve kryesore të ushqimit siç janë sigurimi i bukës nga prodhimi vendor, qumështit, mishit, sheqerit apo vajit, nevojitet të ndërmerren më shumë masa konkrete për bujqit duke filluar nga respektimi i marrëveshjeve për grumbullimin dhe pagesën me kohë të prodhimeve bujqësore, subvencionet të ofrohen në kohën kur bujqit kanë më shumë nevojë për to në varësi prej kulturave të ndryshme bujqësore, si dhe të ndiqet përvojat e Serbisë fqinje e cila me qindra mijë euro mbështet hapjen e kooperativave, ku duhet të parashikohen më shumë lehtësime fiskale për fermerët”, thekson Sinani.
Sipas tij, nevojitet të ndihmohet dhe jo të pengohet edhe legalizimi i fermave nëpër fshatra, apo të mbështetet hapja e fermave të reja jashtë fshatit me infrastrukturën e nevojshme, duke filluar nga kyçja e rrymës, ujit apo rrugës.
Në ndërkohë , për ish ministrin e bujqësisë Kire Dokuzovski, është dëshpërues fakti se kemi rritje të madhe të subvencioneve në vitet e kaluara nga njëra anë, dhe ulje të tokës punuese bujqësore si dhe faktit se më shumë importojmë ushqim se sa eksportojmë ushqim. Sipas tij, mungojnë edhe analizat për efektet e vërteta të të hollave të subvencioneve.
“Nevojitet të nxitet edhe prodhimtaria e vogël apo kapacitetet e vogla, veprimtaritë shtesë të fermerëve, si dhe të dihet të ardhurat mesatare dhe minimale të bujkut. Njëherazi për një përmirësim të përgjithshëm të situatës, kryesorja është të respektohen ligjet e miratuara dhe të ketë qasje të njëjtë për të gjithë dhe të mos ketë të privilegjuar. Pra, Maqedonia, përveç se duhet të përgatisë dhe miratojë ligjet, duhet edhe të aftësojë bujqit të kuptojnë dhe të ndjekin ligjet”, thekson ai.
Dokuzovski më tej shprehet se për shembull orientimi ndaj prodhimtarisë organike,është i qëlluar , por sipas tij kryesorja është jo sa të holla ndahen për subvencione, por nevojitet të analizohet prodhimtaria sipas sasisë dhe llojeve, se sa prodhimtari organike është shitur brenda shtetit dhe është eksportuar jashtë me logo të caktuar. Me fjalë të tjera, duhet të kemi një evidencë të saktë se sa të hollat e harxhuara për subvencione, kanë dhënë efektin e tyre në sasitë e prodhimtarisë organike.
Njëherësh ai mbështet edhe organizimin më të madh të fermerëve nëpër kooperativa, mirëpo shton se fermerët duhet të mësohen të respektojnë obligimet që i kontraktojnë,apo të pranojnë se Evropa jep, por edhe kërkon respektimin e obligimeve.
“Kur do të shkruani ligjet duhet të dihet se cilat obligime duhet të plotësojë bujku ndaj kooperativave, apo shteti do të ofrojë para , por edhe bujqit duhet të plotësojnë kushtet që kërkohen. Tek ne bujqit do të ngrenë zërin dhe do të kërkojnë para për pjeshkat, kumbullat dhe vështirë se ndonjë ministër mund tu thotë jo. Pra, problem qëndron edhe tek politikat në bujqësi, por edhe tek vetëdija e bujqve”, shton më tej ai.
Nevojitet edhe reforma serioze në administratën që menaxhon bujqësinë , por edhe në ndërmarrjet e ndryshme që ndërlidhen me bujqësinë siç janë ndërmarrjet publike të pyjeve, të kullosave, konstaton ai. (koha.mk)