Në Klinikën e Toksikologjisë, në vitin 2018 janë evidentuar gjithsej 424 persona me helmim akut nga alkooli
Delvina KËRLUKU
Shkup, 16 shkurt – Konsumimi i tepër dhe i përditshëm i alkoolit është arsyeja për rritjen e numrit të të sëmurëve, por edhe përkeqësimi të gjendjes ekonomike të shoqërisë në përgjithësi. Alkooli është shkaku që mbi 200 persona janë shtrirë në spital. Përveç varësisë, personat që konsumojnë alkool me tepricë, mund të ballafaqohen me cirrozë, kancer, por edhe me infeksione të tjera, shkruan gazeta KOHA.
Sipas informacioneve të drejtorit të Klinikës së Toksikologjisë, Nagip Zymberi, në qendrën informative të kësaj klinike, në vitin 2018 janë evidentuar gjithsej 424 persona me helmim akut me alkool. Në përputhje me informacionet e dhëna, psikologët mendojnë se alkooli është problem familjar dhe shoqëror, me përfshirje të madhe të komplikimeve psikologjike. “Alkoolikët shumë rrallë kërkojnë të zgjedhin problemet me anë të psikologëve ose psikiatrit. Për atë edhe vjen natyra e problemit, por edhe mungesa e shëndetësisë së duhur dhe trajtimi i rrjeteve sociale për parandalimin e këtij problemi”, thotë psikologia Lidija Zorba. Stojan Meçev, kryetar i Klubit për trajtim të alkoolikëve thotë se një alkoolik përballet me shumë vështirësi, por shoqëria dhe trajtimet e ndryshme mund ta largojnë njeriun nga konsumimi i alkoolit.
“Anëtarët e këtij klubi më motivuan dhe më bindën të tërhiqesha nga ky ves. Ata më bindën se jam në problem me alkoolin. Nëse nuk do të ishte ky klub, do të vazhdoja të njëjtën rrugë. Është rruga e ferrit. Është e vështirë të dilet nga ajo rrugë. Dihet se si duket një familje, kur ka një alkoolik në shtëpi, të gjithë vuajnë, si fëmijët edhe gruaja..”, thotë Meçev.
Janë 3.600 qytetarë që kishin probleme me alkoolin dhe kanë kaluar nëpër klubin për trajtim të alkoolikëve. Aktualisht, klubi numëron 60 anëtarë. Anëtari më i vjetër i klubit, Tashko Priçkov, thotë se shoqëria në këtë klub e ka përkrahur shumë në jetën e tij. “Mbështetja e shoqërisë në trajtimin e kësaj sëmundjeje të rrezikshme është varur nga ky klub, por edhe nga shoqëria jashtë”, thotë Priçkov, ish alkoolik. Klubi aktualisht funksionon në baza vullnetare me tarifë mujore prej 50 denarë.
Specialisti i psikologjisë mjekësore, Jovan Veleski, i cili punon si një terapist vullnetar në klub, thotë se shteti duhet të punësojë personel të përhershëm në këto shoqata dhe t’i ndihmojë financiarisht. Kjo do ta shpëtojë shoqërinë dhe vetë shtetin.
“Një ditë spitalore për një alkoolik kushton 2,400 denarë. Nëse qëndron të paktën 2 javë, është rreth 30.000 denarë që do të financojë Fondi. Këtu vizita kushtojnë 50 denarë “, thotë Jovan Veljski, specialist i psikologjisë mjekësore. Në katër dekada, në këtë klub janë shpëtuar shumë jetë. Nëse nuk ekzistonte, shumë familje do të shpërndaheshin deri më tani, prandaj shteti dhe komunat duhet me çdo kusht t’i ndihmojnë, të varurve nga alkooli, të kenë një jetë normale. Mbështetja urgjente financiare për këto klube dhe punësimi i profesionistëve është i nevojshëm. (koha.mk)