Varheji: BE kujdeset për Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor

24

Shkup, 4 maj  – Ju siguroj që BE-ja kujdeset dhe e mbështet Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor që nga fillimi i pandemisë. Ky është vetëm fillimi dhe ne do të vazhdojmë të jemi pranë jush, tha eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji në sallën “Boris Trajkovski” pas shpërndarjes së dozave të para të vaksinave kundër Kovid-19 të siguruara nga Bashkimi Evropian.

“Kjo është një ditë e mirë për Ballkanin Perëndimor dhe Maqedoninë e Veriut. Më në fund mund t’i dorëzojmë vaksinat e para. Sot jemi krenarë të njoftojmë se gati 120 mijë vaksina për Maqedoninë e Veriut do të dorëzohen deri në fund të gushtit. Kjo është dhuratë nga BE për Maqedoninë e Veriut për ta kapërcyer pandeminë. Shpresoj se do ta përfundojmë plotësisht procesin e vaksinimit. Sepse ne nuk jemi të sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt,” tha Varheji.

Ai theksoi se nuk ishte e lehtë të sigurohen vaksinat dhe shprehu mirënjohje të madhe për Qeverinë e Austrisë.

Ministrja austriake për Evropën, Karoline Edshtadler tha se është e lumtur që Austria dhe BE arritën të sigurojnë 650 mijë vaksina për Ballkanin Perëndimor, nga të cilat gati 120 mijë janë për Maqedoninë e Veriut.

Edshtadler vuri në dukje se pandemia nuk ka mbaruar ende, por dita e sotme është një ditë shprese se së shpejti do të kapërcehet.

“Vaksinimi do ta ndryshojë rrjedhën e pandemisë, do ta zvogëlojë barrën për punonjësit mjekësorë dhe sistemin shëndetësor. Ky është një gjest i angazhimit nga Austria dhe BE-ja për Ballkanin Perëndimor. Austria është e përkushtuar për ta bërë rajonin qendër të politikës së jashtme të BE-së dhe për këtë arsye do të vazhdojë të ofrojë mbështetje në atë kontekst. Shpresoj që së shpejti të kthehemi në normalitet. Vetëm me përpjekje të përbashkëta mund t’i japim fund pandemisë,” tha Edshtadler.