Kryetarja e Platformës së Maqedonisë kundër varfërisë, Biljana Dukovska, për gazetën KOHA, është shprehur se pandemia e virusit korona ka goditur qytetarët në aspektin financiar, shëndetësor dhe social. Ndërkohë, studimi i fundit i Finance Think, se sa do ta rrisë virusi korona varfërinë në Maqedoninë e Veriut, rezultoi që këtë vit do të kemi rritje drastike të numrit të qytetareve që do të kalojnë në varfëri ekstreme
Zenel MIFTARI
Shkup, 20 tetor – Situata e re e krijuar nga kriza shëndetësore e virusit korona, ka rënduar në mënyrë ekstreme jetesën e shumë qytetareve ane mbanë botës. Masat restriktive të marra nga Qeveritë, ka ndikuar që shumë biznese të mbyllen, kompanitë të lirojnë nga puna punëtorë të shumtë si dhe rritja e çmimeve dhe kështu me radhë është rënduar buxheti i kryefamiljareve.
Aktivistët e shoqërisë civile të cilët janë të angazhuar në luftën kundër varfërisë, shprehen pandemia e COVID-19, ka komplikuar situatën e qytetareve të cilët kanë të ardhura të ulëta. Sipas tyre, ndihma shtetërore që u ofrua nga Qeveria nuk ishte e mjaftueshme që qytetarët të plotësojnë të gjithë nevojat e tyre elementare për një jetë normale. Ndërkohë të dhënat e fundit zyrtare, thonë se afër 22 për qind e qytetareve jetojnë në varfëri.
Kryetarja e Platformës së Maqedonisë kundër varfërisë, Biljana Dukovska, për gazetën KOHA, është shprehur se pandemia e virusit korona ka goditur qytetarët në aspektin financiar, shëndetësor dhe social. Sipas saj, shifrat janë shqetësues dhe alarmante që Qeveria do të duhet sa më shpejtë të merr masa për ta parandaluar që situata të përkeqësohet edhe më shumë. “Qytetarët në numër të madh nuk kishin mundësi të plotësojnë nevojat elementare të të ushqyerit të tyre e lëre më të blejnë mjete higjienike për ta mbajtur pastërtinë personale”, deklaron Dukovska. Ajo gjithashtu shtonë, se gjatë anketës qytetarët kanë qenë mjaftueshëm të informuar rreth virusit korona dhe rrezikshmërisë së tij, por që kushtet ekonomike nuk e kanë lejuar që t’ju përmbahen masave parandaluese kundër virusit korona. Në fund, ajo shtoi se grupet më të rrezikuara kanë qenë ata që e kanë humbur vendin e punës gjatë krizës me virusin korona. Siç tha ajo, ata nuk përfshirë në pakot emergjente të Qeverisë dhe as nuk kanë marrë asistencë sociale menjëherë por është dashur së paku të presin deri në tre muaj.
Ndërkohë, studimi i fundit i Finance Think, se sa do ta rrisë virusi korona varfërinë në Maqedoninë e Veriut, rezultoi që këtë vit do të kemi rritje drastike të numrit të qytetareve që do të kalojnë në varfëri ekstreme. “Ndikimi i krizës së virusit korona duket se do të lënë pasoja afatgjate, por rreziku është edhe më i lartë në mesin e grupeve me të ardhura të ulëta, pasi ata janë të punësuar në sektorët që janë prekur nga kriza e virusit korona, të tilla si tregtia, gastronomia dhe transporti”, thuhet në publikim e raportit. Sipas kësaj, shkalla e varfërisë relative për shkak të virusit korona rritet për 1.2 për qind, e cila përfaqëson rreth 25,000 qytetarë të zhytur në varfëri si rezultat i pandemisë. Në fund, ata shtojnë që është e nevojshme që Qeveria të angazhohet urgjentisht për t’i ndihmuar qytetarët e rrezikuar. Ndryshe, në nivel global sipas Bankës Botërore deri në 150 milionë njerëz mund të bien në varfëri ekstreme, ose të mbijetojnë me më pak se 1.90 dollarë në ditë. (koha.mk)