Varfëria në qytezën më të pasur të Europës (FOTO)

(CNN sjell një reportazh nga qendrat sociale për të varfrit në qytezën Fürstenfeldbruck, Gjermani, në vendin më të pasur të Europës...)

65

Lilifer Kus punon pesë ditë në javë në dyqanin e kasapëve, por çdo mëngjes të së enjtes ajo mund të gjendet në qendrën sociale të ushqimit duke mbledhur furnizimet që i nevojiten për të ushqyer familjen. Dhe kolegët e saj nuk e dinë se ajo vjen këtu. “Ata do të më përgojonin dhe nuk unë do ta dëshiroja këtë”, thotë ajo. Kus, 46 vjeçe, ka ardhur në bankën e ushqimit (food bank – e njohur në Gjermani si një “Tafel”) në Fürstenfeldbruck, një qytet gjysmë ore larg nga qyteti jugor gjerman i Mynihut, që nga viti 2011. Kjo ndodhi kur ajo u divorcua dhe u bë nënë beqare e katër fëmijëve. Ajo është një nga rreth 150 njerëzit që e vizitojnë këtë “bankë ushqimore” çdo javë për ushqim falas. Aty ka nëna dhe baballarë, pensionistë dhe refugjatë. Ashtu si të tjerët, ajo nuk ka para të mjaftueshme për të ushqyer veten dhe familjen e saj.

Kjo është një nga më shumë se 930 bankat ushqimore të lidhur me federatën e centralizuar të bankave ushqimore gjermane. Rreth 1.5 milionë njerëz janë të përkrahur nga Tafeln në të gjithë vendin, pa llogaritur shërbimet e panumërta nga bankat e pavarura të ushqimit. Dhe sipas një studimi të kryer nga federata në vitin 2016, kërkesa po rritet.

Mynihu dhe zona përreth tij është shtëpia e 6 prej 10 distriktet më të pasura të Gjermanisë. Por ky rajon është gjithashtu shtëpia e 18 bankave ushqimore. Fürstenfeldbruck është një prej tyre. Ndërtesat origjinale të qytetit, trotuaret e pastruara me kujdes dhe restorantet romantike përgjatë lumenjve fshehin një nivel në rritje të varfërisë.

Pas një rruge të rregullt vetëm afër qosheve nga rruga kryesore, vullnetarët janë të zënë me shërbimin e “klientëve”, duke sistemuar raftet me ushqim të konservuar dhe kutitë e grumbullimit të bukës dhe perimeve të mbledhura nga furrat e bukës dhe tregjet e fermerëve. Në oborr nga prapa, ka një radhë të qëndrueshme të nevojtarëve. Kus, ishte një nga të parët që tërhoqi ushqimin e saj sot. Ajo fiton rreth 825 euro ($ 990) në muaj dhe merr një shtesë prej 500 eurosh (600 $) në asistencë për shkak të pagës së saj të ulët. Por qiratë janë të larta dhe po rriten vazhdimisht në Fürstenfeldbruck. Vetëm apartamenti i kushton asaj më shumë se 800 euro ($ 960) në muaj. Shtoni këtu koston e faturave të shtëpisë dhe dy fëmijëve që ende jetojnë në shtëpi, dhe buxheti është i shtrënguar. Kus arriti në Gjermani nga Turqia bashkë me prindërit e saj ishte akoma fëmijë. Vetëm dy javë më parë, ajo mori nënshtetësinë gjermane. Ajo planifikon të votojë në zgjedhjet federale të dielën, nëse arrin të marrë pasaportën gjermane në kohë. Por ajo ka pak shpresë që politikanët të mund të përmirësojnë situatën e saj: “Askush nuk mund t’ju ndihmojë. Ju duhet të ndihmoni veten, ju duhet të shpëtoni veten”.

VARFËRIA NË RRITJE

Përqindja e gjermanëve në rrezik varfërie u rrit nga rreth 12% në 1995 në rreth 16% në 2014, sipas një raporti qeveritar të botuar më parë këtë vit. Pabarazia e të ardhurave është rritur gjithashtu, u gjet nga ky raport.  Megjithëse papunësia zyrtare në vend është shumë e ulët, gjithnjë e më shumë gjermanë po bëjnë punë me kohë të pjesshme, me pagë të ulët dhe të pasigurt. “Ekonomia gjermane është rritur në mënyrë të qëndrueshme për dekada me radhë”, shpjegon Manuela Barisiç, menaxhere e projektit në Fondacionin Bertelsmann, i cili kohët e fundit publikoi një raport mbi shpërndarjen e pasurisë në Gjermani.

“Por një numër i madh gjermanësh,  40% e popullsisë në fakt, nuk po shijojnë asnjë nga ky prosperitet për veten e tyre. Pabarazia dhe varfëria po rriten”. Njerëzit më të moshuar janë goditur më së shumti. Numri i pensionistëve që jetojnë nën vijën e varfërisë është rritur nga rreth 10% në 15% që nga viti 2005, sipas një studimi të publikuar këtë vit.

“UNË NUK KAM ASNJË ZGJEDHJE TJETËR”

Duke u ulur në një stol në zonën e pritjes, një grua  60-vjeçare duket qartë e pikëlluar. Ajo është e veshur mirë dhe e pastër, por rrathët e zinj nën sytë e saj janë një shenjë se ajo po përballet me vështirësi. Burri i saj vdiq disa muaj më parë. “Kjo ishte pika e kthesës në jetën time”, shpjegon ajo. “Ne kurrë nuk kemi pasur probleme me paratë. Burri im kishte një punë të mirë. Por, kur isha e re, jam marrë me punë vullnetare, dhe kur më pas erdhën fëmijët, llogaria ime e pensionit mbeti bosh. Tani më ka mbetur shumë pak “.

Ajo tha se ndihej e turpëruar që ishte e varur nga një bankë ushqimore dhe nuk pranoi t’i jepte emrin e saj CNN-it për këtë arsye. “Kam pasur një jetë tjetër një herë”, thotë ajo. “Për mua kjo nuk është vërtet diçka e mirë, por nuk kam asnjë zgjedhje tjetër”. Dhe ajo nuk do të votojë në zgjedhje. Nuk u beson më politikanëve, thotë ajo, “ose askujt në fakt”.

“NE DUHET TË NDËRMARRIM VEPRIME”

Pavarësisht se është një shqetësim i madh për votuesit , 17% e gjermanëve janë të shqetësuar rreth varfërisë, nga 10% një vit më parë. Shumica e politikanëve kanë heshtur në këtë temë gjatë fushatës zgjedhore. E pyetur për pabarazinë sociale në një intervistë të drejtpërdrejtë në YouTube në gusht, kancelarja Angela Merkel,  Bashkimi Kristian Demokratik i së cilës (CDU) ka qenë partia më e madhe në parlament që nga viti 2005 dhe pritet të fitojë më shumë vota këtë fundjavë,  foli për shifrat e punësimit dhe suksesit të qeverisë së saj në rritjen e pagës minimale. Dhe e pyetur rreth planeve të saj për t’u marrë me rritjen e “varfërisë së pensionistëve” gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të enjten e kaluar, Merkel u përgjigj: “Nuk mund të premtoj që për momentin  do të ndryshoj sistemin tonë të pensioneve”. Merkel e këshilloi gruan që e parashtroi pyetjen, një zonjë pastrimi nga Bochumi në Gjermaninë Perëndimore,  për të paguar në një program privat të pensioneve, diçka që gruaja tha thjesht nuk ishte e mundur për pagën e saj të ulët.

Në të njëjtën mbrëmje, rivali kryesor i Merkel, Martin Schulz i Partisë Social Demokratike (SPD), iu adresua një turme të madhe të mbledhur përpara sallës së qytetit të Mynihut. Ai premtoi të përmirësojë sistemin e pensioneve, të ofrojë rrugëzgjidhje për kalimin nga puna me kohë të pjesshme në punë me orar të plotë dhe të godasë format e pasigurta të punësimit. “Nuk ka nevojë të ndërmerren masa për pensionet, thotë ajo,” i tha Schulz turmës, duke iu referuar Merkelit. “Kjo është një deklaratë lufte mbi një brez të tërë. Sepse ne duhet të bëjmë veprime. ”

“VARFËRIA NDODH NË FSHEHTËSI”

Një 67-vjeçar i cili ka përdorur bankën ushqimore në Fürstenfeldbruck për gjashtë vjet, sheh pak shpresë për të ardhmen e tij nëse Merkel mbetet kancelare. “Politikanët bëjnë shumë pak. Ata janë shumë të zënë me kompanitë e mëdha. Varfëria nuk ka grup lobues”, thotë ai. Ai kërkoi nga CNN të mos e publikonte emrin e tij, sepse ai nuk donte të identifikohej publikisht si dikush që përdor një bankë ushqimore. “Dhe është duke u përkeqësuar, thotë ai. “Vështirë ta shihni atë në sipërfaqe në këtë qytet. Por varfëria është atje. Kryesisht ndodh në fshehtësi. ” Kryebashkiaku i qytetit, Erich Raff pranon se varfëria po rritet në Fürstenfeldbruck dhe është e sigurtë se bankat e ushqimit falas do të jenë të nevojshme për një kohë të gjatë edhe në të ardhmen.

“Do të ishte mirë nëse mund të zvogëlohej numri i njerëzve që varen nga ajo”, thotë ai. “Por t’a zhdukësh atë tërësisht? Kjo nuk do të ndodhë. ” Dhe askush nuk e di saktësisht se sa njerëz po luftojnë në fshehtësi për të arritur qëllimet. “Shumë njerëz kanë frikë për të ardhur këtu”, thotë 67-vjeçari, klient i ushqimit falas. “U desh një kohë e gjatë për mua të kapërceja frikën time. Kush dëshiron të pranojë se është i varfër? ”

“NE NUK E SKANDALIZOJMË VARFËRINË”

Banka e ushqimit drejtohet me saktësi ushtarake. Tre gra drejtojnë operacionin, duke organizuar mbledhjen, klasifikimin dhe shpërndarjen e ushqimit.

“Është si një firmë e vogël që ne drejtojmë këtu”, thotë Lidija Bartels, 58-vjeçare, e cila filloi vullnetarizmin në bankën e ushqimit në vitin 2005. Klientët duhet të dëshmojnë vështirësitë e tyre, zakonisht një letër nga qendra e punës ose shërbimet sociale, të cilat kontrollohen në një listë në derë kur hyjnë. Jo vetëm që Tafeln lehtëson urinë, por ata luajnë një rol ekologjik gjithashtu duke shpërndarë ushqime që përndryshe do të shkonin në mbeturina. Por Stefan Selke, profesor i sociologjisë në Furtwangen, në Gjermaninë jugore, është i shqetësuar se suksesi i lëvizjes së bankave ushqimore në Gjermani dhe “imazhi i saj i shpëtimit të ushqimit” tërheqin vëmendjen nga një çështjeje më e rëndësishme: skandali i varfërisë në një nga vendet më të pasura të botës . “Ne nuk e skandalizojmë varfërinë në Gjermani, por jetojmë me të sepse kemi këtë sistem të mrekullueshëm të Tafeln”, thotë Selke. “Ata vijnë për të zëvendësuar politikën, politikën e luftimit të varfërisë në një mënyrë të qëndrueshme. Sa më mirë të funksionojnë bankat ushqimore, aq më pak politikanët janë të gatshëm të luftojnë me të vërtetë varfërinë”.

Christa Rath, 73 vjeçe, e cila ka qenë vullnetare në bankën e ushqimit në Fürstenfeldbruck që kur u hap në 2000, pajtohet që Tafeln nuk do të ofrojë një zgjidhje afatgjatë për problemin. “Dhe do të ketë gjithnjë e më shumë prej tyre,” thotë ajo. Por, derisa të realizohen ndryshime më të mëdha, “thjesht duhet të bësh diçka”. “Kjo na vë të gjithë të turpëruar që këto ekzistojnë dhe se ekziston nevoja që ato të ekzistojnë”. (tesheshi.com)

 

Comments are closed.