Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 shkurt – Shumica e qytetarëve në Maqedoni me vështirësi i mbulojnë nevojat e tyre elementare me të ardhurat e pakta mujore. Një e treta e qytetarëve thonë se me shumë vështirësi e kalojnë muajin, 26 për qind thonë se mbijetojnë vështirë, 29.4 për qind thonë se mbijetojnë me vështirësi të caktuara. Vetëm 13 për qind e popullatës thotë se e kalojnë muajin lehtë, shkruan gazeta KOHA.
Sipas anketës së Entit të Statistikës me titull “Kushtet për të ardhurat dhe të jetesës në Maqedoni në vitin 2016”, afër 7 për qind e amvisërive kanë tualet jashtë shtëpive, afër 6 për qind nuk kanë as vaskë apo dush, ndërsa 13.5 për qind jetojnë në kushte joadekuate të jetesës (çati që pikon , mure të lagështa ose xhama të thyer). Nga ana tjetër, 46 për qind e popullatës nuk posedojnë kompjuter, ndërsa 37 për qind nuk posedojnë as veturë.
Statistika tregon se 37 për qind e popullatës nuk kanë shkuar në kontroll mjekësor apo mjekim për shkak të mungesës së parave, ndërsa afër 60 për qind janë përgjigjur se nuk kanë shkuar në dentist, për shkak se nuk kanë mundësi ti lejojnë vetes diçka të tillë.
Anketa e statistikës tregon se 21.9 për qind e popullatës apo mbi 450 mijë qytetarë në vend janë të varfër. Të varfër janë edhe 9 për qind e të punësuarve, 7 për qind e pensionistëve dhe 41 për qind e të papunëve. Sipas statistikës, pragu i varfërisë ka prekur qytetarët me të ardhurat 6.880 denarë për amvisëritë me një person, ndërsa për familjet me katër anëtarë janë 14.488 denarë.
Analizat më tej tregojnë se varfëria është më e madhe tek burrat se gratë, ndërsa të ardhura më të vogla kanë personat në fshatra. Amvisëritë në fshatra realizojnë 170 mijë denarë pagë në vit, ndërsa në qytet realizojnë 233 mijë denarë. Të ardhurat nga pensionet në fshatra janë 57.721 denarë, ndërsa në qytet janë 87.660 denarë.
Gjithashtu të dhënat e raportit tregojnë se 30 për qind e popullatës në Maqedoni në vitin 2016 ka qenë seriozisht e privuar materialisht, që nënkupton pamundësinë e realizimit të së paku katër nga nëntë nevojat themelore siç janë: pagesa e qirasë apo komunaleve, ngrohja adekuate e banesës, pagesa e harxhimeve të paplanifikuara, mish në tryezën e ngrënies, peshq apo mish pule në çdo të dytën ditë, pushim një javor, automobili personal, makinë larjeje, televizor me ngjyrë apo telefon. Studiuesit thonë se varfëria është një koncept tepër kompleks dhe i vështirë për t’u matur. Andaj në 30 vitet e fundit studiohet një koncept i ri, i cili kryesisht matet në tregues ekonomikë. Bëhet fjalë për përjashtimin social që nuk nënkupton vetëm nevojat e natyrës ekonomike, por edhe sociale, kulturore e politike. Përjashtimi social si burim kryesor ka më shumë probleme (papunësia, mungesa e kualifikimeve profesionale, të ardhurat e ulëta, mjediset e papërshtatshme për të jetuar, problemet shëndetësore, etj).
Maqedonia është shteti i tretë më i varfër në Evropë, sipas EUROSTAT-it, dhe më të varfër se Maqedonia janë vetëm Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina. Të ardhurat për frymë nga Prodhimi i Brendshëm Bruto në Maqedoni janë sa 36 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian, ndërsa konsumi aktual për frymë vlerësohet në 40 për qind e mesatares së BE-së. (koha.mk)