Shkup, 30 nëntor –Janë zhvilluar sot ndeshjet e javës së 17 në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë. Të gjitha ndeshjet filluan me një minutë heshtje, pas ngjarjes tragjike që ndodhi me futbollistët e skuadrës braziliane Çapokaense. Ndërkohë, që këtë xhiro e karakterizoi incidenti i shkaktuar nga tifozët e Pelisterit në përballjen derbi me Vardarin. Në fakt kjo ndeshje u ndërpre më shumë se 30-minuta pas rezultatit 0:1 në të mirë të kuqezinjve nga Shkupi, për shkak se tifozët vendas “Çkembari”, me gurë dhe me top bore siç njoftojnë mediat maqedonase, kanë goditur referin anësor, mirëpo, pas insistimit të referit kryesor Aleksandar Stavrev që të zbrazet tribuna ku ishin të vendosur tifozët e Pelisterit, ndeshja vazhdoi. Pas vazhdimit të ndeshjes, skuadra vendase përkundër disa përpjekjeve nuk arriti të barazoi rezultatin, për dallim prej mysafirëve, të cilët ditën se si ta rruajnë ketë epërsi, të cilën e krijuan falë brazilianit Felipe në minutën e 9 të ndeshjes. Me këtë fitore Vardari ruajti epërsinë ndaj Shkëndijës prej 6 pikëve në luftën për titull. Derisa, derbi shqiptar ndërmjet Renovës dhe Shkëndijës, u ka takuar kuqezinjve, të cilët triumfuan me rezultatin 2:1. Autor të golave për djemtë e Jeton Beqirit ishin Armend Alimi dhe Ferhan Hasanit, ndërsa e tëra që arritën të bëjnë djemtë e trajnerit Qatip Osmani, ishte goli i nderit të cilin e shënoi Argjent Gafuri.
Skuadra e Shkupit vazhdoi me rezultatet e dobëta. Ata me rezultatin 1:0 u mundën nga Sileksi. Kjo disfata edhe më shumë e thellon krizën e bardhekaltërve, ndërsa kjo ishte humbja e parë për trajnerin e ri Ardian Nuhiu, i cili e zëvendësoi Visar Ganiun.
Në ndeshjet tjera, Rabotniçki arriti të përmbys rezultatin, pasi futbollistët e Pobedës kishin kaluar në epërsi me 0:1. Në vazhdim “romantikët” konsoliduan radhët e tyre dhe arritën të shënojnë tre gola me anë të Siljanovskit, që më pas Najdenov nga 40 metra të shënojë një euro-gol, ndërsa golin e tretë e shënoi Herera. Pa fitues ka përfunduar përballja mes Bregallnicës dhe Makedonija Gj.P. 2:2.
Rezultatet:
Renova – Shkëndija 1:2
Rabotnitçki – Pobeda 3:1
Mak.Gj.P. – Bregallnica 2:2
Sileksi – Shkupi 1:0
Pelisteri – Vardari 0:1
Tabela: Vardari 4o pikë, Shkëndija 34, Pelisteri 29, Rabotniçki 27, Sileksi 23, Renova 20, Shkupi 16, Pobeda 15, Makedonija Gj.P. 12, Bregallnica 10 pikë
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.