Bujar KURTAJ
Shkup, 3 dhjetor – Shkupi dhe Vardari do të përballen përsëri, pas ndeshjes së 1/8 të finales së Kupës së Maqedonisë, por kësaj radhe në kuadër të Ligës së parë futbollistike. Ndeshja mes dy rivalëve të mëdhenj do të zhvillohet në stadiumin në Çair, në të cilën pritet një “luftë” e madhe duke marr parasysh se tre pikët u nevojiten të dyja skuadrave.
Favorit sigurisht se konsiderohen futbollistët e Vardarit, por atë duhet ta dëshmojnë në fushën e gjelbër, ku sigurisht se do ta kenë rëndë duke marr parasysh se futbollistët e Shkupit po luajnë mirë sidomos në shtëpinë e tyre, derisa bardhekaltërit nga tribuna do ta kenë përkrahjen e madhe nga tifozët e saj “Shvercerat Shkup”. Atmosfera pas barazimit në ndeshjen e parë për Kupë në kampin bardhekaltër është shumë e mirë, ndërsa futbollistët e kësaj skuadre janë të mendimit se Vardari nuk do ta ketë aspak lehtë dhe se të dielën do të japin maksimumin që të arrijnë rezultat pozitiv.
“Jemi duke luajtur lojë të hapur me të gjitha ekipet, nuk na intereson emri i kundërshtarit, cila do ekip të jetë ne jemi të përgatitur dhe të gatshëm të luajmë lojën tonë karakteristike. Sigurisht se shumë është me rëndësi që tani edhe sulmi është më aktiv dhe shënojmë më shpesh. Mendoj se Vardari nuk do ta ketë aspak lehtë ndaj nesh, ne këtë e treguam edhe në ndeshjen e Kupës së Maqedonisë ku ishim shumë më afër fitores. Secili futbollist që do ta fitojë besimin e trajnerit do të jep maksimumin nga vetja dhe do të kërkojmë me çdo kusht rezultat pozitiv nga kjo ndeshje, pasi që për ne secila pikë ka vlerë shumë të madhe”, deklaroi shtylla e mbrojtjes së FC Shkupi, Sedat Berisha. Ndryshe, Shkupi për këtë përballje nuk do të mund të mbështetet në shërbimet e Bunjamin Shabanit dhe Husein Demirit.
Kampioni vjeshtor Shkëndija në cilësinë e nikoqirit do të pret skuadrën e Pelisterit. Favorit absolut për tre pikët janë djemtë e trajnerit Qatip Osmani, kundrejt një skuadër e cila këtë sezon nuk është në nivelin e njëjtë si në sezonin e kaluar. Skuadra nga Manastiri me vetëm 16 pikë gjendet në vendin e parafundit duke rrezikuar rënien nga elita e futbollit vendor. Ndryshe, dëshira e futbollistëve kuqezi është që sezonin ta mbyllin me fitore, megjithëse theksojnë se nuk do ta kenë lehtë pasi Pelisteri me çdo kusht do të kërkojë të arrin rezultat pozitiv. “Kemi zhvilluar një gjysmëstinor shumë pozitiv dhe qëllimi ynë është të mbyllim këtë etapë me fitore dhe tre pikë. Jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë e lehtë pasi Pelisteri është në pozitë të keqe në tabakë dhe sigurisht shpresojnë të nxjerrin rezultatin e dëshiruar. Prandaj ne shikojmë ndeshjen si një finale dhe do të hyjmë me përqendrim maksimal për të fituar takimin. Kemi atmosferë shumë të mirë, cilësia në këtë moment është në anën tonë dhe e vetmja që duhet të bëjmë është të realizojmë në terren atë që do të kërkojë nga ne stafi teknik”, deklaroi për gazetën KOHA, i riu Shefit Shefiti.
Ndërkohë, në përballjet tjera spikat përballja në Prilep mes Pobedës dhe Renovës. Të gjitha ndeshjet e javës së 18-të në LPFM-së do të luhen në ora 13.00.
DYSHET:
A.Pandev – Sileksi
Rabotniçki – Skopje
Pobeda – Renova
Shkwndija – Pelisteri
Shkupi – Vardari