Shkup, 18 prill – Arena “Filipi i dytë” në Shkup sot (e mërkurë) do të jetë nikoqire e derbit të madh mes kampionit aktual Vardarit dhe kampionit të ri (pritet zyrtarizimi) Shkëndijës, në kuadër të javës së 28 në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë. Futbollistët e Vardarit do të luajnë për prestigj, pasi kanë humbur gjitha shpresat për titull sidomos pas 20-të pikëve që kundërshtari i tyre i sotëm i ka kundrejt tyre, derisa kuqezinjtë nga Tetova synojnë të vazhdojnë serinë e suksesshme dhe fitimin e tre pikëve të cilët do ti afronin ata edhe më afër titullit të dytë. Njëherit kjo do të jetë derbi i fundit mes këtyre dy ekipeve, ku nga pesë përballjet që i kanë zhvilluar deri më tani, skuadra tetovare ka dy fitore, një ka Vardari, kurse tre përballje përfunduan baras. Ndryshe, në Shkup sot djemtë e trajnerit Qatip Osmani vijnë pas disa ndeshjeve pozitive si dhe një atmosfere jashtëzakonisht të mirë. Nëse arrijnë të luajnë si në ndeshjet e deritanishme, ata janë të bindur se do të fitojnë tre pikët e reja. “Në këtë moment presioni nuk është më në anën tonë, kemi diferencë të madhe dhe sot kemi mundësi të shkojmë edhe më pranë realizimit të një objektivi të madh me fitore eventuale. Nëse nuk ndodh duhet të ruajmë qetësinë për momentin e vërtetë. Vijmë pas disa ndeshjeve me rezultate pozitive dhe atmosferë të mirë dhe tani hyjmë për të përsëritur gjërat e njëjta që i kemi bërë në ndeshjet paraprake. Nëse luajmë ashtu besoj se do të dalim me tre pikë. Jemi të koncentruar dhe të gjithë e dimë rëndësinë e fitores në këtë ndeshje”, deklaroi për gazetën KOHA, braziliani në radhët e Shkëndijës, Stenio Zhunior.
FC Shkupi pas barazimit 1-1 ndaj Vardarit, do të jetë përsëri mysafir, kësaj radhe në Turnovë ku do të përballet me Akademija Pandevin. Pika e marr ndaj rivalit të madh Vardari të dielën, ka rikthyer sado pak atmosferën në ekip dhe në kampin bardheblu besojnë se do të arrijnë të marrin një rezultat pozitiv, i cili do ti mbante ata në lojë për pozitën e katërt. “Të dielën kemi luajtur një ndeshje të mrekullueshme por që në fund nuk arritëm të marrim tre pikët. Por gëzon fakti që jemi kthyer në formë të mirë dhe shpresojmë të përsërisim lojën e mirë edhe në ndeshjet e radhës. Ndaj Akademija Pandevit nuk kemi se çka humbim, duke respektuar kundërshtarin por duke kërkuar që të marrim pikë edhe në këtë takim. Luajmë tri ndeshje si mysafir dhe çdo pikë për ne do të jetë me vlerë, që më pas ta kemi edhe më lehtë kur të kthehemi në fushën tonë”, tha për faqen e klubit, Shpend Asani.
Renova do të jetë nikoqir në Tetovë, ku do të pret Rabotniçkin, një ndeshje e cila gjithashtu zgjon interesim të madh dhe është një ndeshje ku pikët janë shumë me vlerë për të dyja skuadrat. Cekim, edhe Renova, por edhe Rabotniçki me fitoret e fundit kanë mbajtur gjallë shpresat për pozitën e katërt, e cila qon në Evropë, në rast se KF Shkëndija arrin të fiton trofeun e Kupës së Maqedonisë. Ndërkohë, “Skopje” për shkak të suspendimit të fushës në lagjen Hekuran pas incidenteve që ndodhën ndaj Rabotniçikit nga ana e FFM-së, ndeshjen si nikoqir ndaj Sileksit do ta luan në Kërçovë.
Të gjitha ndeshjet, në përjashtim të asaj në Shkup mes Vardarit dhe Shkëndijës e cila luhet në ora 15.00, do të luhen në terminin e zakontë, ora 16.00.
Dyshet:
A.Pandev – Shkupi
Vardari – Shkëndija
Pelisteri – Pobeda
Renova – Rabotniçki
Skopje – Sileksi