Bujar KURTAJ
Shkup, 14 tetor – Pas një pauze prej dy javësh, rikthehen emocionet në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë, kur të shtunën fillon faza e dytë.
Derbi pa dyshim se do të jetë ai mes dy rivalëve për titull Vardarit dhe Shkëndijës, ku kjo e fundit kryeson bindshëm me 25 pikë, nëntë më shumë se Vardari, por kampioni aktual ka dy ndeshje më pak. Kujtojmë, pikërisht nga skuadra tetovare, Vardari pësoi disfatë këtë sezon. Derisa, nga ky ekip dëshirojnë fitore në derbi, ndërsa ftojnë publikun që të vijë në numër sa më të madh për ti përkrahur ata. “Caku jonë nga kjo ndeshje është fitimi i tyre pikëve, edhe pse e dimë se luajmë kundër një ekipi të mirë. Mirëpo, besoj se nëse ofrojmë lojë të mirë, nëse luajmë ashtu siç do të merremi vesh, mund të arrijmë cakun tonë. Ftoj publikun të vjen në numër sa më të madh dhe të na përkrahë që të arrijmë deri te fitorja në këtë derbi”, tha për faqen e klubit sulmuesi i Vardarit, Dejan Bllazhevski.
Ndryshe, edhe sulmuesi i Shkëndijës, Besart Ibraimi thotë se ndeshjen e kanë marr me qetësi maksimale, por në të njëjtën kohë edhe me përkushtimin e duhur. Ndërkohë që në Shkup do të vijnë për të marr tre pikët.
“Jemi të lumtur që përfundoi pauza dy javore dhe do të rikthehemi të luajmë sërish në kampionat. Kemi lënë pas një fazë të parë shumë të mirë dhe pretendojmë të vazhdojmë me rritëm të njëjtë. Tani kemi ndeshje me Vardarin në terren të tyre dhe kjo përballje sigurisht se bart vështirësi në vete duke llogaritur se përplasen dy pretendentë për titullin. Por, ne jemi të qetë në kokat tona dhe duam të marrim secilën ndeshje me qetësi maksimale, por në të njëjtën kohë edhe me përkushtimin e duhur. Qëllimi ynë në këtë moment është të fitojmë çdo ndeshje të radhës, ndërsa nuk ngarkojmë veten me çështjen e titullit. Si do që të rezultojë ndeshja me Vardarin nuk do të vendos asgjë për titullin pasi ka edhe shumë për tu luajtur. Por gjithsesi se për ne është me rëndësi të fitojmë dhe në Shkup shkojmë për tre pikë”, deklaroi për gazetën KOHA, Besart Ibraimi.
Përballja në Shkup në arenën “Filipi i dytë” nuk do të jetë përballja e vetme e cila zgjon interesim në kuadër të javës së 10-të. Në stadiumin “Mlladost” në Strumicë, “Akademia Pandev “ do të pret ish-kampionin e trefishtë Shkupi. Dy ekipe që këtë sezon po luajnë mjaftë mirë dhe gjenden në mesin e pesë ekipeve të para. Përballja e parë mes këtye dy ekipeve, e cila u zhvillua në Çair, përfundoi pa fitues 1-1, ndërsa s’ka dyshim se pritet të zhvillohet një ndeshje e mirë.
Ndryshe, në këtë ndeshje futbollistët e Shkupit do të kenë përkrahjen edhe grupit të tifozëve “Shvercerat Shkup”, të c ilet në mënyrë të organizuar do të jenë në Strumicë dhe do të përkrahin ekipin e tyre të zemrës. Sa i përket futbollistëve të Shkupit, ata thonë se në Strumicë do të shkojnë të marrin rezultat pozitiv.
“Fillimisht dua të them se e kemi mirëpritur këtë pushim, por njëkohësisht edhe kemi punuar me përkushtim që sa më të përgatitur të nisim fazën e dytë të kampionatit. Do të udhëtojmë për në Strumicë për të marrë rezultat pozitiv. Ekipi është në formë të mirë dhe me angazhim maksimal besoj se mundemi t’ia dalim. Në fillim të sezonit luajtëm baras me Akademinë, e që më pastaj ky ekip tregoi se nuk ishte befasi e rastit por është një ekip i mirë komponuar që kërkon të tregohet mirë në debutimin e tyre në Ligën e Parë. Kemi zhvilluar edhe dy miqësore që trajnerit i kanë ndihmuar të gjejë formën edhe te futbollistët më të ri, që shpresojmë do të sjellin sukseset e radhës”, u shpreh Bunjamin Shabani.
Ndërkohë, ndeshje interesante pritet të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Tetovë, ku KF Renova do të pret Rabotniçkin, në tentim për të arritur fitore, e cila i nevojitet shumë asaj duke marr parasysh startit të dobët në dhjetë ndeshjet e para, ku “gjipspunuesit” kanë vetëm shtatë pikë dhe gjenden në vendin e parafundit.
Të gjitha ndeshjet e javës së 10-në LPFM do të zhvillohen sot (e shtunë) në ora 14.30.