Varane të premten në mbrëmje do të udhëtojë në Angli, ku do të kompletojë transferimin te Manchester United.
Raphael Varane ishte për herë të fundit në qendrën stërvitore në Valdebabes, ku u përshëndet me presidentin, Florentino Perez, stafin dhe të gjithë shokët te Real Madridi.
I emocionuar, Varane falënderoi të gjithë për 10 vite, siç i quajti ai “të mrekullueshme”, duke i uruar fat të gjithëve në të ardhmen.
28-vjeçari tani do të niset për në Angli, ku do të kompletojë transferimin te Manchester United.
Ai së pari do t’i kryejë testet mjekësore, e më pas edhe do të prezantohet. Reali e shiti atë te United për 50 milionë euro. Varane ka bërë 360 paraqitje për 10 sezone me Realin, ka shënuar 17 gola.
Letra e Varane:
Që kur erdha këtu në vitin 2011, së bashku i kemi tejkaluar të gjitha pritjet dhe kemi arritur gjëra që nuk mund t’i kisha ëndërruar kurrë më parë. Dua të falënderoj të gjithë trajnerët dhe të gjithë njerëzit që punojnë ose kanë punuar në klub për gjithçka çfarë kanë bërë për mua.
Shumë falënderime edhe për të gjithë “Madridistët” që më dhanë gjithmonë shumë dashuri dhe me pritjet e tyre të mëdha më shtynë të jap më të mirën time dhe të luftoj për çdo sukses në fushë.
Kam pasur nderin të ndaj dhomën e zhveshjes me lojtarët më të mirë në botë. Fitore të panumërta që nuk do t’i harroj kurrë, veçanërisht “La Décima”. E kuptoj se ka qenë një privilegj i madh të kem qenë në gjendje të përjetoja momente të tilla të veçanta.
Së fundi, dua të falënderoj të gjithë spanjollët dhe veçanërisht qytetin e Madridit, ku kanë lindur dy fëmijët e mi. Ky vend do të jetë gjithmonë i veçantë për mua.