Në mes të akuzave e pakënaqësive të mëdha nga disa klube për nivelin e referimit në Kosovë, kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve në Federatën e Futbollit të Kosovës, Përparim Hasani, ka bërë të ditur se Kosova ka aplikuar në UEFA për teknologjinë VAR (Video Assistant Referee).
Gjatë javës së fundit, disa klube – si Feronikeli, Ballkani e Llapi – e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me referimin në Kosovës. Madje, kryetari i Feronikelit, Naser Ramaj, ka akuzuar se gjyqtarët po i shesin ndeshjet për 3000 deri në 5000 euro, duke nxitur kështu hetim nga Prokuroria e Shtetit, raporton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Ndërsa, në mesjavë, gjyqtari anësor i ndeshjes Gjilani – Llapi u sulmua fizikisht nga tre persona, duke mbetur me lëndime. Pas këtij incidenti, Policia i arrestoi tre persona.
Përderisa, klubet dhe FFK-ja e kanë dënuar këtë rast, implementimi i teknologjisë VAR shihet si mundësi e mirë për t’i përmirësuar gabimet eventuale të gjyqtarëve gjatë ndeshjeve dhe një gjë e tillë do të ulte presionin e krijuar gjatë kësaj kohe mbi gjyqtarët.
Për këtë arsye, kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve në Federatën e Futbollit të Kosovës, Përparim Hasani, ka bërë të ditur në emisionin sportiv “Favorit” në T7 se Kosova ka aplikuar për ta përdorur teknologjinë VAR.
“As unë s’kam qenë ithtar i VAR-it. Mirëpo, me të vërtetë, kam qenë në një seminar katërditor për çështjen e VAR-it. Pas atyre ditëve sa ishim në seminar, tani unë jam për me fut VAR-in sepse disa gjëra shumë interesante na u prezantuan aty”, ka thënë Hasani në “Favorit”, përcjellë gazeta Koha.
“Ne kemi aplikuar për VAR-in, por duhet të shkojë edhe një kohë. Menaxheri i referëve merret me këtë punë (se sa kohë do të na duhet), por shkon një kohë goxha e gjatë. Po kam frikë ta ceki se sa sepse nuk i dihet”.
Në kampionatet e mëdha evropiane dhe në Ligën e Kampionëve është duke u aplikuar kjo teknologji. Megjithatë, shumë tifozë janë shprehur kundër VAR-it për shkak se thonë se futbolli po sjell më pak emocione me VAR dhe se gabimet po bëhen edhe me këtë teknologji të re. /Gazeta Express/