Shkup, 30 mars – Gjyqësia e Maqedonisë është më efikase se më parë, por duhet të përkushtohemi në cilësinë e gjyqësisë, pa marrë parasysh të dhënat statistikore, dhe ajo të mos jetë qëllim strategjik, theksoi sot kryetari i Gjykatës supreme, Jovo Vangellovski gjatë shënimit të 31 Marsit – Ditës së jurisprudencës.
Vangellovski foli për reformat e nevojshme në gjyqësi, për sfidat që të arrihet gjyqësi e pavarur dhe e paanshme, për problemet me të cilat përballen gjykatat dhe të punësuarit në administratën gjyqësore, për nevojat për më shumë para dhe punësime…
Ndikimet ndaj gjykatësve janë të mundshme, tha ai gjatë fjalimit të tij, por nëse gjykatësi i përmbahet ligjit, fakteve dhe etikës, atëherë askush nuk mund të ndikojë ndaj punës së tij. Integriteti i gjykatësit është më i rëndësishëm dhe gjykatësi, shtoi ai, duhet vetë ta mbrojë pavarësinë dhe paanshmërinë e vet.
“Në atë konstelacion të kontrollit të ndërsjelltë dhe të bashkëpunimit, pushteti ekzekutiv dhe ligjdhënës duhet të garantojnë se gjykatat janë të pavarura dhe se nuk janë të pranueshme masa të cilat mund ta sjellin në rrezik pavarësinë e tyre. Duhet ta sigurojnë dhe respektojnë autoritetin e pushtetit gjyqësor, ndërsa pushteti gjyqësor është ai i cili është stabil dhe i përhershëm dhe i cili duhet të gjykojë në mënyrë objektive, me ndershmëri në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha kryetari i Gjykatës supreme.
Pushteti ligjdhënës dhe ekzekutiv, konsideron Vangellovski, duhet ta sigurojnë dhe respektojnë autoritetin e pushtetit gjyqësor, t’i respektojnë vendimet e gjykatësve, sepse politika është e mbifuqishme në definimin e së drejtës, por gjyqësia është e mbifuqishme në zbatimin e vet.
Ligjet e Maqedonisë lidhur me paanshmërinë dhe pavarësinë e gjyqësisë janë pothuajse të harmonizuara me legjislaturën ndërkombëtare, por sipas kryetarit të Gjykatës supreme, parashtrohet pyetja për zbatimin e tyre dhe nëse ato janë të balancuar në mënyrë adekuate, pa u lënë hapësirë për keqqpërdorim, si dhe për gjetjen e baraspeshës së vërtetë mes pavarësisë dhe përgjegjësisë së gjykatësve.
Duke folur për raportin e grupit të ekspertëve të Pribesë, Vangellovski tha se thëniet nga ai i konsideron si tregues serioz se duhet, siç theksoi, “t’i aktivizojmë të gjitha mekanizmat për parandalim të ndikimeve ndaj gjyqësisë dhe avancimit të pavarësisë, si në nivel institucional, ashtu edhe në atë individual gjyqësor”.
Për ligjet reformuese, tha se i dërgojnë në Gjykatën supreme, por se ka ndjenjë se nuk e presin mendimin e Gjykatës.
Nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski, në fjalimin e vet ceki dukuri të caktuara të cilat në disa vitet e fundit dolën në sipërfaqe, tregojnë ndërthurrje të caktuar, përkatësisht përzierje të pushtetit ekzekutiv në funksionimin e gjyqësisë, ndërkaq që kjo është notuar edhe në raportet e Komisionit evropian, por edhe në subjekte të tjera relevante ndërkombëtare.
Nëse si shtet dhe si shoqëri jemi prëcaktuar për integrime euroatlantike, atëherë detyrë e jona është ta përfundojmë detyrën e shtëpisë në të gjitha fushat. Me atë rast, motivi kryesor për reformat e domosdoshme në jurisprudencë, duhet të jetë për ne qytetari, liritë dhe të drejtat e tij.
Në atë drejtim, shpresoj se relativisht shpejtë dhe në mënyrë cilësore do të bëhen reformat e nevojshme përmes implementimit të plotë të planit qeveritar 3-6-9.
Kuvendi, tha Miskovski, mbetet i hapur për bashkëpunim gjithpërfshirës dhe transparent, për shkak të qëllimit tonë të përbashkët – Republika e Maqedonisë të jetë shtet në të cilin secili qytetarë do të ndjehet i barabartë para ligjit dhe do të respektohen liritë dhe të drejtat e tij.
Në solemnitet morën pjesë përfaqësues më të lartë të pushtetit gjyqësor në Maqedoni, si dhe mysafirë nga Kosova, Shqipëria, Sllovenia, Turqia dhe vende të tjera.