Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, reagon ashpër dhe e dënon vandalizimin e trenit përkujtimor në projektin e nisur Qendra Përkujtimore “Bllacë 1999”, informon KOHA.
“Duke konsideruar se kjo qendër është metafora e vuajtjeve njëshekullore të shqiptarëve nga pushteti serb, që kulminuan me eksodin e vitit 1999, për neve përbën shqetësim serioz pakujdesia e institucioneve të Republikës së Kosovës, që lejojnë vandalizimin e përkujtimit të historisë shqiptare”, thuhet në reagimin e ITSHKSH të nënshkruar nga drejtori Dr.Skender Asani, transmeton KOHA.
Më tej, në reagim thuhet se Bllaca është barometri jonë për të kaluarën shqiptare dhe për vuajtjet e pamatura e të panumërta që shqiptarët i kanë përjetuar në shekullin e kaluar, andaj pakujdesia ndaj saj është pakujdesi ndaj vetvetes sonë dhe heqja dorë prej saj është heqje dorë nga ndërgjegjja jonë kombëtare.
Nga ITSHKSH u bëjnë thirrje organeve të rendit të Republikës së Kosovës të shfaqin kujdes dhe të mos lejojnë baltosjen e këtillë të ndërgjegjes sonë të përbashkët. (koha.mk)