Tetovë, 11 nëntor – Qendra LOJA dhe Lëvizja Eco Guerrilla janë shprehur të tronditur nga, siç thuhet në një reagim drejtuar mediave, vandalizmi i djeshëm i treguar nga autoritetet komunale të Tetovës. Bëhet fjalë për shkatërrimin e ekspozitës nga përfaqësues të Komunës, ekspozitë kjo me foto të realizuar nga aktivistë qytetarë të Qendrës LOJA dhe Eco Guerrilla e ku janë ekspozuar premtimet e paralizuara të kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, shkruan gazeta KOHA.
Edhe në kohërat më të errëta liria e shprehjes nuk është ndalur si sot në Tetovë! Grupi i aktivistëve qytetarë që përdor artin si formë proteste vendosën së bashku tre instalime: Të palarat në Shesh, Trash Monster dhe GRAD PRIX TETOVA me fotografi nga lokacione të ndryshme në Tetovë së bashku me premtime të parealizuara parazgjedhore nga komuna. Por as gjysmë ore pas vendosjes së ekspozitës, njerëzit me makinën zyrtare nga Komuna e Tetovës erdhën, shkatërruan dhe hoqën ekspozitën. Ky akt skandaloz nga bandat e kryetares së bashkisë është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes, e cila nuk ndodhi tek ne as nën regjimin e mëparshëm. Për sa kohë që shteti ynë synon anëtarësimin në NATO dhe BE, funksionimi i shtetit të së drejtës në Tetovë nuk po dëshmon të njëjtën gjë”, thuhet në reagimin e dy shoqatave tetovare.
I bëjmë thirrje kryeministrit, mediave dhe trupit diplomatik që të bëjnë presion në Komunën e Tetovës që të respektojë kushtetutën dhe të drejtat e qytetarëve për lirinë e shprehjes, thuhet më tej në reagim. “Shpresojmë gjithashtu që mbetjet e ekspozitës (në bagazhin e automjetit të kryetares së Komunës) do të shërbejnë për të kujtuar autoritetet komunale për premtimet e pa-realizuara. Vandalizmi nuk mund t’i rezistojë të vërtetës. Shtypja nuk mund t’i rezistojë lirisë”. (koha.mk)