Robin van Persie ka thyer heshtjen dhe ka treguar të vërtetën rreth largimit të tij nga Arsenali për te Manchester United. Holandezi kishte realizuar 132 gola për Arsenalin në 280 paraqitje para se të transferohej te Manchester United për shumën prej 20 milionë euro, shkruan Periskopi, përcjellë gazeta KOHA. Ky transferim pati bërë shumë bujë dhe tifozët e Arsenalit filluan ta urrenin Van Persien, i cili kishte kaluar në Old Trafford me qëllimin për ta fituar titullin e Premier Ligës, gjë të cilën edhe e arriti.
“Ju mund të më krahasoni që isha i martuar me Arsenalin. Unë dhe gruaja ime Arsenali, ishim të martuar për tetë vjet. Pas tetë vjetësh, gruaja ime, ndoshta u lodh pak nga unë. Këto janë faktet.” ka thënë Van Persie. “Nëse Arsenali nuk po ju ofron një marrëveshje të re … ju mund të keni pikëpamje të ndryshme për gjërat, por fakti është që Arsenali kurrë nuk më ofroi një marrëveshje të re. Atëherë ju duhet të shikoni përreth. Unë isha ambicioz. Unë ende dëshiroja të fitoja ligën. Kjo është jeta,”.
36 vjeçari zhvilloi 86 paraqitje me Manchester Unitedin ku shënoi 48 gola.