Louis Van Gaal ka akuzuar Manchester United për mënyrën si e kanë trajtuar kur ishte trajner i “djajve të kuq”, përpara se të zëvendësohej nga Jose Mourinho. Holandezi u caktua si zëvendësuesi i David Moyes në vitin 2014 duke firmosur për tre vjet në “Old Trafford”. Gjithsesi, trajneri u largua pas dy sezonesh dhe një suksesi në Kupën e Anglisë. Van Gaal mendon se vendimi për të shkarkuar atë ishte marrë prej kohësh. “Unë mendoj se që në janar po punonin mbrapa krahëve të mi. Presioni në të cilin ndodhesha nuk ishte njerëzor. Kishin ndikim edhe te futbollistët. Kupa e Anglisë nuk është trofeu i vetmi që kam fituar në karrierën time, por më i vështirë, për atmosferën, për vështirësinë dhe pengesat që vinin nga drejtuesit. Në klub flitej vetëm për largimin tim dhe mu desh shumë punë t’i motivoja lojtarët.”
Van Gaal tha se e ndjeu veten të tepërt që në momentin që Chelsea shkarkoi Mourinho në dhjetor 2015. Ai shtoi: “Në mënyrë të trishtë, ish-futbollistë të United nisën të thonë se ne luanim keq futboll. Unë kur firmosa doja të qëndroja për dy sezone, por drejtuesit e United ishin ata që këmbëngulën për tre vjet. Ata kishin një skuadër të mbushur me 30 vjeçare dhe donin një revolucion. Ed Woodward dhe vëllezërit Glazer më thanë se sido që të shkonte sezoni do të qëndroja edhe në vitin 2017, por ata nuk e mbajtën fjalën në momentin që Mourinho u lirua. E vetmja gjë që më mërzit është se prapa krahëve të mi arritën marrëveshjen me portugezin, ndërsa mua vetëm në qershor më komunikuan se kishin ndërruar mendim për të ardhmen.”