Virxhil Van Dajk in siston te fakti që Liverpuli mund të përballojë presionin e të qenit kampion Europe. Skuadra angleze ishte ekipi i parë pas Milanit në 1994-ën që humbi ndeshjen e parë të Champions-it si kampion në fuqi. Humbja ndaj Napolit të martën në mbrëmje ka rritur presionin te skuadra e Liverpulit që tani duhet të mundë me patjetër Salcburgun në shtëpi.
Mbrojtësi holandez është i bindur që skuadra e tij ka eksperiencën e duhur për të përballuar presionin. “Të gjithë duan të na mundin, pavarësisht se ku luajmë”, tha holandezi.
“Kjo është diçka me të cilën duhet të mësohemi. Nuk mendoj se do të jetë një problem. Duhet ta shijojmë këtë moment. Për Napolin fitorja në ndeshjen e parë ishte diçka e madhe, për ne jo ajo që donim. Tani duhet të fitojmë takimet e tjera por më parë duhet të fokusohemi te dueli me Çelsin në kampionat”. Mbrojtësi i “reis”-ave refuzoi të komentonte penalltinë e akorduar për italianët në minutën e 82-të. “Besoja se mund të barazonim, por penalltia ndryshoi gjithçka dhe tani duhet të kthehemi në shtëpi pa pikë. Kjo duhet të jetë një zile zgjim”.
Van Dajk shton se humbja me Napolin nuk është një dramë. “Kemi bërë paraqitje fantastike që nga starti i sezonit, ndaj mendoj se nuk ka vend për panik. Edhe në Itali bëmë një ndeshje të mirë në përgjithësi duke ushtruar presion te kundërshtari dhe duke i vënë ata në vështirësi”. Ndeshja ndaj napolitanëve nuk kaloi pa pasoja edhe nga tifozët të cilët sulmuan një mbështetës anglez duke e plagosur atë. Drejtori ekzekutiv, Piter Mur, qëndroi me tifozin deri në momentin që në vendngjarje erdhi policia dhe ndihma e shpejtë. Tifozët e Napolit njihen për sjelljet e tyre problematike në ndeshjet e luajtura në shtëpi. UEFA ka nisur një investigim për të zbardhur ngjarjen duke paralajmëruar klubin italian se në rast se skena të tilla përsëriten, do të ketë ndëshkime drastike ndaj tyre deri në boshatisjen e stadiumit.
Ndërkohë, skuadra e Karlo Ançelotit konfirmoi edhe njëherë se është nja nga pretendentët kryesorë për të zënë vendin e parë në Grupin E ku bëjnë pjesë edhe skuadra e tjera si Genk dhe “Red Bull” Salcburg.