Modric u shpall futbollisti më i mirë për vitin 2018 në një ceremony madhështore të zhvilluar të hënën, në të cilën Messi nuk ishte prezent, pasi më parë nuk ishte përzgjedhur as si pjesë e listës së tre kandidatëve favoritë për fitimin e çmimit, që plotësohej nga ish-futbollisti i Real Madrid, Cristiano Ronaldo dhe ai i Liverpool, Mohamed Salah.
Gjithsesi, trajneri i Barcelonës, Valverde deklaroi se është Messi ai që duhej të kishte fituar çmimin, duke kritikuar gjithashtu këtë strategji të viteve të fundit me shumë çmime individuale që ndërhyjnë në lojën e futbollit. “Secili ka një opinion dhe unë kam timin. Për ne, Leo është futbollisti më i mirë në botë. Është një cmim që quhet “Më i Miri” dhe lojtari që për ne është më i miri në botë, nuk ndodhej aty. Modric është një futbollist madhështor, që pati një sezon të madh”, deklaroi Valverde në konferencë për mediat, i cili vijoi me përshtypjen e tij për ceremonitë e çmimeve: “Disa vite më parë nuk kishte kaq shumë çmime, por çdo gjë është zmadhuar, ka shumë gala dhe çmime. Ky është sport dhe çdo ditë e më shumë një shfaqje biznesi gjithashtu”.