“Nëse mendoni në aspektin ekonomik, atëherë kjo do të thotë që paratë qëndrojnë në këtë zonë dhe qarkullojnë vetëm në një qytet”, na thotë një tregtar, “Prandaj për mua ka kuptim dhe kjo është stimuluese për ekonominë lokale”. Me paundin e Bristolit paguhen vetëm produktet të prodhuara në Bristol, në afërsi të kuzhinës tuaj
Bristoli tashmë një kohë të gjatë është lider kur bëhet fjalë për lëvizjet alternative. Ai është i famshëm për hipitë, fermat e qytetit, artistin e punësuar rrugor Banksi … Ndërsa është i famshëm edhe për një projekt që filloi shtatë vjet më parë: Bristoli ka paratë e tij – paundin e Bristolit. Qyteti britanik i Bristol ka pasur monedhën e tij me vite të tëra. Arsyeja është t’u tregojmë njerëzve se çfarë bëjnë paratë: në këtë rast është një ide ekologjike që të blihen vetëm produkte vendore.
A janë këto para? Ajo që është definuar si mjet i pranuar universal për arkëtimin e borxheve, me çka mund të blihen mallrat, të shlyhen borxhet. Ajo që mund të kursehet. Paundi i Bristolit është i pranuar gjerësisht në Bristol – ndërsa qytetarët siç duket nuk janë të interesuar për faktin që me të nuk mund të tregtojnë në Bursën e Hong Kongut ose Buenos Airesit. Disa ekonomistë komentojnë me tallje se me këto para nuk mund të tregtohen as në Londër, pra për çfarë “parash” bëhet fjalë?
Por, edhe një ekonomist i tillë nuk do të përqeshej nëse do të mendonte pak. Paraja nuk njohin gjeografi, ashtu siç monedha e përbashkët e vendeve të eurozonës nuk njeh kufij shtetëror. Baza e përdorimit të parave është – kontrata.
MIRË EDHE PËR EKONOMINË EDHE PËR MJEDISIN JETËSOR
“Nëse mendoni në aspektin ekonomik, atëherë kjo do të thotë që paratë qëndrojnë në këtë zonë dhe qarkullojnë vetëm në një qytet”, na thotë një tregtar, “Prandaj për mua ka kuptim dhe kjo është stimuluese për ekonominë lokale”. Me paundin e Bristolit paguhen vetëm produktet të prodhuara në Bristol, në afërsi të kuzhinës tuaj.
Prandaj, nuk është çudi që ideja për një monedhë lokale lindi në qytetin që gjithmonë ka qenë bastion për alternativa. Për shembull, ferma e qytetit “Verburg “ rrjedh nga vitet e hershme të 70-ta si bastion për siç i quanin atëherë “fëmijët e lules” të cilët atje kanë kultivuar prodhime organike. Ajo i furnizon rregullisht sipërmarrësit lokal. Paundi i Bristolit rrjedh logjikisht nga ky sistem, sqaron zëdhënësja e fermës “Verburg”, Sara Flint: Secili e di: i kam këto para tani dhe do t’i shpenzoj në produktet vendore. Është e rëndësishme të keni parasysh këtë koncept lokal.
Kuptohet, gjithashtu është e vërtetë se i gjithë sistemi është vetëm gjysmë hapi larg nga një shkëmbim i thjeshtë, apo shkëmbimi i mallrave. Diçka e ngjashme tashmë ekziston në komuna të ndryshme alternative që duan të kenë dhe shpenzojnë vetëm aq sa ka nevojë. Sigurisht që ka gjëra që na duhen dhe vijnë nga larg, siç janë benzina ose vaji. Por në këtë mënyrë, nxitet të menduarit për atë që na nevojitet me të vërtetë nga bota e largët, e kjo, nga ana tjetër, e nxitë mbrojtjen e mjedisit jetësor.
ZINXHIRËT E TREGTISË KËTU VIJNË DERI TE KUFIJTË E TYRE
Sijaran Mandi është njëra nga kreatorët e paundit të Bristolit. Ajo thotë se këtë monedhë e përdorë një rrjetë prej rreth 2.000 sipërmarrësve dhe bizneseve. “Që furnizimi me ushqim dhe produkte të tjera të mbetet në një zonë dhe të evitohet konsumi i energjisë për transport nga gjithë bota, duhet doemos të intervenohet brenda vetë sistemit dhe në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Kjo ishte një nga arsyet për paraqitjen e paundit të Bristolit, tha Mandi.
Valuta u krijua pas pakënaqësive të cilat rezultuan kur Tesko, zinxhiri më i madh i tregtisë në Britani, vendosi të hapë një degë në lagjen Struks Kroft, e njohur për skenën e saj alternative. Ideja është pothuajse e thjeshtë në mënyrë gjeniale, pasi zinxhirët tregtarë gjithmonë fitojnë për shkak se ofrojnë produkte me një çmim më të lirë krahasuar me dyqanet më të vogla.
Dhe zinxhirët e tillë zbuluan bukurinë e produkteve “lokale” dhe “rajonale”, të cilat ata zakonisht i shesin më shtrenjtë se “të zakonshmet”. Por, edhe për shitjet e tilla u nevojitet bashkëpunim me plantacione të mëdha. Kjo mund të shihet me shembullin e domateve. Vetë fermeri mbledh rreth 200-300 kg. Në kooperativë mundet edhe disa tonë. Por, koncernet me disa qindra dyqane kërkojnë partnerë që mund t’u sigurojnë atyre dhjetëra, ndoshta edhe qindra tonë domate në vit. Kjo do të thotë që bujqit lokalë nuk mund t’u shërbejnë si partnerë të fortë. Por, prandaj mund t’i shesin produktet e tyre në afërsi të drejtpërdrejt – për paundin e Bristolit.
LOKALISHT, POR EDHE ME NJË PAUND “TË ZAKONSHËM”
Në Bristol, shumë tregtarë të vegjël përdorin paundin lokal. Ata që nuk e bëjnë këtë, përmendin arsye të ndryshme, siç është Karlota, e cila thotë: “Kam menduar për këtë, por jeta vazhdon dhe unë assesi të filloj. Mikja e saj Fatima mendon se paratë nuk janë përhapur ende mjaftueshëm dhe “duhet të mendoni për atë se ku t’i merrni”. Por, përveç tregtarëve dhe zejtarëve, zyrtarët e qytetit të Bristol mund të zgjedhin monedhë në të cilën ata duan t’u paguhet paga e tyre: paundi britanik ose ai i Bristolit. Ish-kryetari i Bristolit, Xhorxh Ferguson ka vendosur në mënyrë demonstrative të marrë pagë me para të qytetit dhe këtë e bëri gjatë mandatit të tij nga viti 2012 deri në vitin 2016.
KJO ËSHTË MEGJITHATË MË SHUMË SE SHKËMBIM
Paundi Bristol, megjithatë, nuk është vetëm një mjet pagese lokale që mund të krahasohet me pulla ose kuponë, ose thjesht një shkëmbim shërbimesh. Kjo është diçka tjetër. Jo vetëm që është një ide ekologjike, por është gjithashtu një mbështetje për ekonominë lokale, duke anashkaluar rregulloret që pengojnë një mbështetje të tillë.
Kjo është arsyeja pse aktivisti amerikan Robert Svon shkroi në esenë e tij “Roli i parave lokale në zhvillimin ekonomik rajonal” që nga mesi i viteve 1980-ta se “lëshimi në përdorim i parave të veta jep një nxitje të madhe për pavarësinë lokale, sigurinë më të madhe dhe një ekonomi më të qëndrueshme”.