Valmiri Aziri sjell “Ad Astra” (FOTO)

Ekspozita e titulluar “Ad Astra” sjell një cikël të ri të artistit, një depërtim në hapësirë dhe sekretet e universit. Hëna, yjet, qiejt kozmosi vijnë në pikturat e Azirit, si një përpjekje për të ngritur velin midis kësaj bote dhe mistereve të gjithësisë

 

Evis HALILI

Shkup, 21 shtator – 35 punime të artistit Valmir Aziri qëndrojnë të ekspozuara në galerinë Çifte Hamam. Ekspozita e titulluar “Ad Astra” sjell një cikël të ri të artistit, një depërtim në hapësirë dhe sekretet e universit. Hëna, yjet, qiejt kozmosi vijnë në pikturat e Azirit, si një përpjekje për të ngritur velin midis kësaj bote dhe sekreteve e misterit që përmban universi. Në disa piktura, ai gjen frymëzim edhe në kozmologjinë fetare dhe atë mitologjike, në ndarjen e Qiellit në shtatë nivele, shprehet Nora Halimi në parathënien e shkruar për këtë ekspozitë.

Advertisements

“Piktura e tij është në gjendje të ruajë atë tension estetik, të brishtë mes botës imagjinare dhe asaj reale. Pavarësisht arratisë nga realiteti tokësor, hapjes së grilave të imagjinatës për t’u projektuar në një hapësirë pafund, ky realitet nuk mungon në pikturat e tij, mund të gjesh të gjitha shenjat, vlimet dhe tensionin që ka ai si individ. Në strukturimin figurativ dhe poetik të këtij cikli pikturash, vërehet tendenca për të njësuar shtegun intuitiv me atë të përvojës”, thuhet në parathënie.

Ekspozita është çelur të martën në mbrëmje, ku ishin të pranishëm, miq e artdashës që folën për krijimet e artistit dhe risitë e kësaj ekspozite të radhës mes të cilëve artistë e politikanë dhe kryetari i Parlamentit Talat Xhaferri, që i dëshiroi artistit që pikturat e tij të ndriçojnë fort në qiellin artistik.

“Organizimi i hapësirës bazohet në raportet e sipërfaqeve që krijohen nga rrjedha e ngjyrës, herë spontane e herë në funksion të konturimit të formave. Thurja e zhdërvjelltë kompozicionale, fluiditeti i ngjyrës ka tendencën për të udhëhequr edhe rrjedhën e shikimit. Kontrastet e forta të ngjyrës përçojnë tek publiku gjithë ngarkesën vizuale të dramës qiellore. Çdo pikturë është një strukturë simbolike, që i nënshtrohet shumësisë së kuptimeve në përballjen me publikun. Në të vërtetë, thuajse të gjitha pikturat e tij tentojnë të përballen me publikun në mënyrë jotendencioze, introspektive. Krijimet e tij janë kompozicione asociative, meditime që na shpijnë më afer yjeve, mbase për të kërkuar kuptimin e fshehur ose thjesht për të na bërë bashkudhëtarë qoftë edhe për një grimkohë në udhëtimin e tij për Tek Yjet”, thuhet në parathënien e kuratores Halimi.

Kjo është ekspozita e pestë me radhë e Azirit, pas ekspozitave të tjera personale, si “Reflektimi”, ekspozitën e grafikës digjitale “Në fillim ishte fjala”, ekspozitën e printimeve digjitale 32 punime “Hijet e shpirtit” dhe ekspozitën e punimeve digjitale “Vibracionet shpirtërore të digjitalizuara”.

Valmir Aziri ka diplomuar në degën e Grafikës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Tetovës. Ai ka qenë për një kohë të gjatë anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë, ka mbajtur ekspozita individuale dhe ka marrë pjesë në shumë ekspozita grupore dhe koloni artistike. Në vitin 2009 emërohet drejtor i Galerisë së Arteve në Tetovë, në vitin 2011 emërohet drejtor i Teatrit në Tetovë, ndërsa nga viti 2017 është sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës.