Rajoni i Katalunjës është përfshirë sërish nga demonstratash prej dy ditësh, teksa mijëra njerëz pro pavarësisë kanë zaptuar sheshet e qyteteve për të protestuar edhe kundër procesit gjyqësor ndaj 12 liderëve separatistë.
Por situata e rënduar mund të ndikojë direkt edhe në kampionatin spanjoll të futbolli, pasi më 26 tetor është në plan që në “Camp Nou” të luhet ndeshja mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, ndërsa La Liga ka propozuar ndryshimin e stadiumit.
Sipas Ligës, zhvillimi i ndeshjes në “Camp Nou” mund të rrisë edhe më shumë tensionet dhe të bëjë që situata të dalë nga kontrolli, ndaj është mirë që takimi të zhvillohet në “Santiago Bernabeu”, pra një ndryshim i radhës së stadiumeve.
Protesta e mbrëmjes së djeshme arriti edhe nivele dhune të theksuara, ku sipas organeve të policisë të paktën 157 vatra zjarri të qëllimshme u regjistruan në të gjithë qytetin, dhe selitë e prefekturave u rrethuan nga protestuesit.
Por protesta nuk ndali vetëm në Barcelonë. Protestuesit u përplasën me policinë edhe në qytete të tjera të Katalunjës si Girona, Tarragona, Lleida dhe Sabadell, me një bilanc ende jo përfundimtar të 114 të plagosur, ndër to 54 janë nga forcat e policisë.