Ministri shqiptar për Evropë dhe Punë të Jashtme, Gent Cakaj filloi me “spastrimin” themelor të paralajmëruar në përfaqësitë diplomatike shqiptare nëpër botë. Sipas Ministrisë deri tani në Tiranë janë tërhequr 28 persona nga përfaqësitë diplomatike.
Mes tyre janë dy diplomatë nga karriera në ambasadën shqiptare në Athinë, Florian Nova dhe Enkelejda Riza si dhe konsulli në Ambasadë Artur Porpollogu, dhe për momentin në Ambasadë është vetëm ambasadorja Ardiana Hobdari, kundër së cilës sërish është ngritur procedurë disiplinore për shkak të skandalit me 100 pasaportat e zhdukura shqiptare.
Në Tiranë kthehen edhe diplomatja Blerta Derhemi, e cila është pjesë e misionit shqiptar në Bashkimin Evropian, pastaj konsulli në Hungari, Marin Meksi, konsulli në Danimarkë, Marsela Xhixho, këshilltarja në ambasadën në Londër, Pranvera Skana.
“Me ardhjen time në këtë funksion, para tetëdhjetë ditëve kam formuar grup të punës, i cili detajisht e hulumton cilësinë e resurseve njerëzore në shërbimin diplomatik të Shqipërisë. Një pjesë e tyre të cilët janë kthyer prapa në Tiranë e kanë tejkaluar sjelljen e diplomatit, derisa disa të tjerë nuk janë në nivelin e nevojshëm”, deklaroi Cakaj.
Në lidhje me valën e ndryshimeve në përfaqësitë diplomatike, ish ministrja e Punëve të Jashtme dhe profesoreshë e njohur universitare Arta Dade vlerësoi se “atë që e bën ministri Cakaj është “joligjore”.
Avokati i njohur shqiptar dhe ish ministër i Drejtësisë, Spartak Ngjela, në ndryshimet sheh punë pozitive duke potencuar se “vendi ka vuajtur nga vdekja e diplomacisë dhe se ambasadat janë turp para Zotit”.(koha.mk)