Evis HALILI
Shkup, 19 gusht – Konkursi i manifestimit të riformatuar “Vala e re e kulturës” ka tërhequr vëmendjen e artistëve dhe krijuesve në sfera të ndryshme. Pas mbylljes së afatit të parë të konkurrimit, nga Ministria e Kulturës njoftojnë se numri i organizatave, asociacioneve dhe individëve që kanë konkurruar është mbi 200, mes tyre dhe projekte për kulturën shqiptare, shkruan gazeta KOHA. Konkursi u shpall me vonesë, pas ndryshimeve që pësoi ky manifestim që më parë quhej “Vala e ngrohtë e kulturës”, duke iu dhënë mundësi për të konkurruar jo vetëm komunave, por edhe artistëve, shoqatave dhe produksioneve të pavarura që të marrin pjesë. Gjatë afatit të parë të konkursit u organizuan një sërë sesionesh informuese, si edhe takime me krijues dhe grupe artistike për kushtet dhe kriteret e reja të konkursit. Në Ministrinë e Kulturës është ngritur edhe Komisioni me anëtarë të rinj, mes të cilëve edhe poeti Lulzim Haziri dhe aktori Petrit Neziri. Përparësi gjatë përzgjedhjes së fituesve do të kenë ato projekte që kanë përmbajtje mobile dhe që të paktën do të mund të realizoheshin në disa mjedise rajonale dhe lokale, ndërsa rreth 30 për qind e projekteve fituese duhet të jenë për kulturën shqiptare dhe të bashkësive të tjera etnike.
“Ministri Allagjozovski i ka informuar anëtarët për prioritetet e konkursit dhe aspektet e rëndësishme gjatë marrjes së vendimeve, të cilat duhet të merren parasysh. Projektet e para që do të financohen nga Vala e re e kulturës do të përzgjidhen në fillimin e javës së ardhshme, ndërsa manifestimi të fillojë në muajin shtator dhe do të zgjasë deri në fund të tetorit, përkatësisht deri në konsumimin e buxhetit të akorduar për këtë konkurs”, njoftojnë nga kabineti i ministrit të Kulturës. Pritshmëria për këtë manifestim është e madhe nga Ministria e Kulturës, edhe pse buxheti i vënë në dispozicion për këtë manifestim është dhjetë milionë denarë dhe pritet që projektet të marrin mbështetjen edhe të donatorëve. Nga ministria nuk japin detaje lidhur me mënyrën sesi do të organizohet ky manifestim dhe nëse ndonjë komunë, apo më shumë do të jenë qendra e aktiviteteve. Koncepti i “Valës….” që organizohet prej gati dhjetë vitesh nuk ka ndryshuar. Qëllimi është demetropolizimi i kulturës, promovimi i artistëve të rinj, artit dhe kulturës, prurjet e reja, dhe masivizimi i kulturës edhe në mjediset më periferike. Për gjatë dhjetë viteve, në këtë manifestim kanë konkurruar çdo vit mesatarisht rreth 30 komuna, më të rregulltat kanë qenë si Resnja, Pehçeva, Strumica, Manastiri, Prilepi, Ohri, Dojrani e të tjera. Vitin e kaluar interesimi u ul duke përfunduar vetëm në tre komuna. Komunat shqiptare kanë preferuar që të qëndrojnë jashtë konkurrimit, duke u përqendruar në manifestimet verore të organizuara me buxhetin e komunës, edhe pse edhe komunat shqiptare kanë qenë destinacione ku zhvilloheshin aktivitete të “Valës…” sipas një agjende të përcaktuar nga Ministria e Kulturës. (koha.mk)