Ka nisur karrierën e tij muzikore që në moshë të re kurse tash është një nga më të kërkuarit në rajonin e Pollogut. Valdrin Durmishi rrugën e tij në muzikë po e bën në hapa të sigurt e këtë po e tregon edhe në intervistën dhënë për InfraRed të gazetës Koha
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Keni bërë emër në fushën e artit muzikorë, por dëshirojmë të dimë kush është Valdrini jashtë skenës, na njihni pak me prejardhjen dhe familjen tuaj?
Jashtë skenës jam një njeri i zakonshëm familjarë që i përkushtohem familjes dhe profesionit që kam, gjithsesi unë rrjedh nga një familje kryesisht e arsimuar që jetojnë dhe veprojnë në Tetovë.
KOHA: Si lindi pasioni dhe dëshira për t’u marrë me muzikë?
Dëshira për t’u marrë me muzikë më lindi gjatë kohës kur merrja pjesë në ansamblin ‘Burimet e Sharrit’, ku kam marrë pjesë si këngëtarë, instrumentalit dhe valltarë, mund të them se atëherë e kam provuar veten në skenë, megjithëse dëshira ka qenë që në vegjëli.
KOHA: Mbani mend këngën e parë që keni kënduar?
Po, sigurisht që e mbaj mend, por kanë qenë dy këngë që jam paraqitur si këngëtarë para publikut, “Jordan Kasapit dhe Udhës së Shullanit”.
KOHA: Shumë këngë të raportuarit tuaj janë të pastra shqipe e madje edhe të dashurisë, pse?
Jam rritur duke dëgjuar këngë shqipe dhe të huaja sigurisht, por kënga shqipe më fle në shpirt, kjo është dhe arsyeja.
KOHA: Me punën tuaj keni krijuar identitetin në muzikë, a keni kënduar ndonjë këngë me veshje kombëtare e me plis në kokë, nëse jo a do e bënit një videoprojekt të tillë?
Këngët e mia të para i kam kënduar me plis në kokë dhe me veshje kombëtare, ndërsa sa i përket videoklipeve nuk e kisha menduar por më pëlqen shumë si ide, sigurisht që në të ardhmen mund të kem ndonjë të tillë.
KOHA: Keni hedhur në treg një videoprojekt të ri, na trego më tepër për krijimin e kësaj kënge?
Tash sapo e kam përfunduar një këngë të re që mban titullin ‘Hajde nuse gëzim i shtëpisë’, këngë dasmash që janë të shumta tek ne dhe ju kushtojmë një rëndësi të madhe, prandaj vendosa të sjellë atë dhe shpresoj që të i pëlqejë publikut.
KOHA: Kush është mbështetja jote kryesore?
Mbështetja ime kryesore së pari është familja, të cilën e falënderoj shumë në çdo hap që më kanë ndihmuar, si nga ana morale dhe ajo financiare, mandej janë dhe miqtë, shokët të cilët i falënderoj shumë.
KOHA: Kush i punon këngët tuaja dhe cilat janë planet për vitin e ardhshëm?
Këngët e mia i punon tekstshkruesi Vigan S. kurse muzikën e ka bërë Baki I., të cilët i falënderoj shumë, ndërkohë që për videoprojekte bashkëpunoj me produksionin Jehona në krye me Arif Sejdi Ibishi.
KOHA: Çfarë mendoni për këngëtarët e rinj dhe prurjet e reja muzikore, si dhe mesazhi për ato?
Këngëtarëve të rinj fillimisht ju uroj shumë suksese dhe unë personalisht i mbështes shumë, ka shumë të talentuar me përjashtim të disave, por gjithsesi mua më pëlqejnë risitë, ndërsa mesazhi për ta është të punojnë sa më shumë në drejtimin që kanë nisur sepse me punë arrihet gjithçka.