VALBONA LALAJ (HAKLAJ): Historia personale që u kthye në një klipin “Haku jem” (FOTO)

Vjen në një rrëfim për InfraRed të gazetës KOHA këngëtarja Valbona Lalaj Haklaj e cila tregon gjithë karrierën e saj artistike si ka nisur muzikën dhe si po e vazhdon…

Bisedoi: Blerand REXHEPI

KOHA: Valbona, të kemi parë kohët e fundit në një klip me titull “Haku jem”, por para se të kalojmë tek klipi, kush është Valbona Lalaj (Haklaj)?

Unë kam lindur në Tiranë por me origjinë jam nga Tropoja, kam lindur në 30.06 1983 dhe jetoj e punoj me muzikën prej vitesh kudo në diasporë, Europë e më tej, në Australi e Amerikë.

KOHA: Pse ky ndryshim mbiemri?

Mbiemri është ndryshuar për çështje personale.

KOHA: “Haku jem” është një këngë me temë aktuale, tradhtinë, e cila është pëlqyer mjaft në publik edhe pse është të gërryen emocionalisht. Si erdhi kjo këngë e shoqëruar me klip nga ty?

Është e vërtetë që kam realizuar një klip të ri me titull “Haku jem”. Është një këngë dhe klip që fabula e saj është marrë nga një ngjarje e vërtetë. E bisedova edhe më mikun tim, mikun e të gjithë këngëtarëve dhe artistëve në Zvicër Musa Sylejmani dhe menduam që ta realizojmë në këngë dhe klip. Është realizuar gjithçka në Zvicër dhe unë jam falënderuese ndaj Musës të gjithë ekipit të tij sepse kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Falënderoj për klipin “Max Production”dhe “Haku jem” u titullua nga fabula e ngjarjes së vërtetë.

KOHA: Si ka qenë jeta jote artistike?

Ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e ngjeshur sepse kam kënduar dhe vazhdoj të këndoj pothuajse në të gjithë Shqipërinë, si dhe në Zvicër, Belgjikë, Gjermani e më gjerë deri në Australinë dhe Amerikën e largët. Gjej rastin të përshëndes të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë që më kanë dëgjuar duke kënduar dhe më kanë mbështetur në karrierën time. U jam shumë mirënjohëse dhe u uroj gjithçka të mirë në jetë.

KOHA: Të kthehemi përsëri te klipi “Haku jem”. A pate vështirësi në realizimin e tij?

Vetëm koha e keqe që na penalizoi paksa sepse ishte ftohtë gjatë kohës së xhirimit, pastaj të tjerat ishin OK, ishin bashkërendim mes elementeve dhe bashkëpunëtorëve në këngë dhe klip.

KOHA: Cila është arma jote më e fortë në muzikë?

Mua personalisht, muzika më bën të lumtur, më jep jetë. Realisht, bukuria qëndron te zëri dhe unë jam e lumtur që Zoti ma ka dhuruar zërin. Falënderoj Zotin që kam armën më të mirë për të ecur përpara, talentin dhe nuk më pengon asgjë për të qenë një artiste e vërtetë. Artisti vlerësohet nga zëri e talenti, jo nga format e trupit dhe performancat. (Buzëqesh)

KOHA: Cila është gjëja e parë që të vjen në mendje sapo hap sytë në mëngjes?

Si fillim, nuk harroj të falënderoj Zotin që më ka dhënë shëndetin dhe familjen, sepse unë jam nënë e dy djemve të mrekullueshëm Flori dhe Argjendi dhe ndihem e bekuar që i kam ata në jetën time.

KOHA: Cila është ajo gjë që e vlerëson më shumë te vetja?

Sinqeriteti, korrektesa dhe karakteri i fortë.

 

KOHA: Veç zërit, këngëtari duhet të ketë edhe një sjellje të bukur skenike. Sa e përqendruar je ti në këtë pikë?

Sjellja skenike është shumë e rëndësishme, sepse është art më vete. Lëvizjet, buzëqeshjet e falënderimet kanë të bëjnë shumë me një paraqitje sa më të bukur të këngëtarit në skenë.

KOHA: Pika jote e dobët?

Djemtë e mi, që i kam dritë në jetën time.

KOHA: Duke patur parasysh natyrën tënde, sa arrin të japësh realisht nga vetja në këngë?

Absolutisht gjithçka. I duhet dhënë shumë këngës, që edhe të marrësh prej saj.

KOHA: Çfarë është një gjë që e ke bërë dhe për të cilën ke thënë se nuk do ta bëje kurrë?

Ndoshta kam falur aty ku nuk duhet ta kisha bërë.

Nëse dikush vjen dhe të thotë problemin e tij, çfarë pret nga ti?

Me siguri, pret dhe e di që do ta marrë ndihmën time, sepse ashtu jam gatuar unë. Gjithmonë e gjej mundësinë për t’i dhënë një dorë kujt ka nevojë vërtet.

KOHA: Çfarë quan mëkat?

Gjithçka që është në kundërshtim me të mirën dhe që i bën keq në njëfarë mënyre kujtdo prej nesh.

KOHA: Çfarë të bën të lumtur dhe çfarë të nervozon?

Më lumturojnë pa fund sukseset dhe dashuria për njerëzit e mi më të afërt, sidomos e djemve të mi, të cilat janë gjëja më e shtrenjtë dhe më e bukur e jetës sime. Mundohem të mbaj larg vetes njerëzit që më japin energji negative.

KOHA: Vishesh bukur dhe normalisht, ndjek edhe trendet e fundit të modës. A mund të ndikojë vërtet shoppingu në humorin e femrës?

Jam këngëtare dhe normalisht, duhet të dukem bukur. Shoppingu ndikon edhe ndikon shumë. (qesh) Normalisht, ndjehem mjaft mirë kur blej gjëra të reja dhe që më shkojnë.

KOHA: Ku do të jetë Valbona në të ardhmen?

Në fakt, synimi im personal është që të eci vetëm përpara në muzikë. Nga muzika nuk do të heq dorë kurrë, ka qenë pasioni im dhe një ëndërr e parealizuar e mamasë time, tani është ajo që nuk më lë mua. Do jem krah djemve të mi dhe dua t’i bëj të lumtur në çdo moment të jetës së tyre.

KOHA: Në fund, të ngeli ndonjë merak nga kjo intervistë?

Besoj se thamë pak nga të gjitha. Doja t’ju falënderoja juve për këtë intervistë që mendoj se u realizua me sukses. Ju uroj suksese në punën tuaj dhe paçit vetëm të mira në jetë. Përshëndes dhe tropojanët e mi sepse vetë jam tropojane.