Valbona Halili sjell gjithmonë perla në muzikë dhe këtë e ka treguar sa herë që ka sjell një produksion të ri nga hitbërësi i këngëve të saj, Edi Balili. “Nga Tirona n’Elbason” titullohet kënga më e re e saj në bashkëpunim me këngëtarin e ri dhe mjaft të talentuar Erion Sheri. Valbona për InfraRed të gazetës KOHA na tregon se në këtë bashkëpunim ajo ka qenë e ftuar dhe ndihet shumë e vlerësuar për ftesën dhe për faktin që ky bashkëpunim – rezultoi kaq frytdhënës
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Valbona, kënga që sapo doli “Nga Tirona n’Elbason” është një produksion i të madhit Edi Balili, a është ai çelësi i vërtetë i suksesit këngëve të tua?
Mendoj se ju i thatë të gjitha , Edi Balili është kompozitori që bën kryevepra. Kemi realizuar edhe një klip mjaft profesional me “Max Production” në bashkëpunim me një këngëtar mjaft të talentuar si Erion Sheri dhe me sa kemi parë këto ditë pas publikimit është një këngë që është pëlqyer mjaft. Kemi marrë mesazhe, vlerësime pa fund dhe kjo është një arritje shumë e madhe. Në këtë këngë unë kam qenë e ftuar por jam e lumtur që pranova këtë ftesë sepse doli një bashkëpunim mjaft i bukur. Kjo këngë mbart shkëlqimin e publikut.
KOHA: Ka këngë që janë “të pëlqyera” dhe këngë “jo të pëlqyera”… Cila mendon se është pika kyçe për një këngë të suksesshme?
Për mendimin tim, nuk ka këngë të këqija; ka këngë që pëlqehen më shumë dhe ka nga ato që pëlqehen më pak. Rol të madh mendoj se luan mënyra e krijimit dhe puna që bëhet për to. Varet edhe me kë i punon, kjo ka shumë rëndësi.
KOHA: Janë më frytdhënëse bashkëpunimet apo të kënduarit si soliste?
Të dyja janë frytdhënëse, por më shumë mendoj se janë bashkëpunimet, pasi bashkërendohen dy stile të kënduari në një dhe realizohet gjithmonë diçka e bukur.
KOHA: A ka marrë Valbona gjithmonë atë që ka synuar nga publiku?
Them se po; kam marrë duartrokitje, kam marrë përshëndetje, kam marrë falënderime dhe urime. E çfarë mund të dua unë më shumë nga publiku im, që e dua shumë dhe që e falënderoj për gjithçka?
KOHA: Ku ndryshon të kënduarit në një skenë të vërtetë nga të kënduarit në një skenë të improvizuar live?
Unë mendoj se nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Emocioni është i njëjtë në të dyja rastet sepse ke të bësh me publik të cilin duhet ta kënaqësh dhe ta gëzosh. I vetmi ndryshim është se kur këndon në një skenë të vërtetë, ke të bësh me një publik më të madh në numër, por emocionet janë të njëjta. Duartrokitjet e tyre janë të njëjta kudo qofshin.
KOHA: Çfarë emocioni të shkakton kënga?
Është një emocion i papërshkrueshëm që nuk mund ta shpreh me fjalë, sepse nuk i gjej dot. Kënga është e pandarë nga jeta ime dhe si të tillë e shoh përgjithmonë.
KOHA: Valbona, ti je ikonë e muzikës popullore. Çfarë ka ndryshuar dhe çfarë ka mbetur e njëjtë gjatë këtyre viteve te ti?
Ah, është e vërtetë që unë jam shumë e njohur për atë me të cilën personifikohem, për muzikën popullore. Sot, pas shumë vitesh në skenë e nëpër koncerte, kam më shumë këngë dhe më shumë klipe, kam arritur goxha në karrierën time, por nuk ka ndryshuar përkushtimi im ndaj këngës dhe dashuria e madhe dhe e pashtershme për muzikën që këndoj.
KOHA: A ka hatërmbetje dhe mërira mes këngëtarëve?
Asgjë në asnjë fushë nuk është perfekte, por unë kam marrëdhënie shumë të mira me kolegët e mi dhe shpresoj që edhe ata të kenë të njëjtin mendim për mua (buzëqesh).
KOHA: Çfarë është një gjë që e ke bërë dhe për të cilën ke thënë se nuk do ta bëje kurrë?
Të ndihmoj njerëzit mosmirënjohës.
KOHA: Nëse dikush vjen dhe të thotë problemin e tij, çfarë bën ti?
Zakonisht përfshihem. Që nga ai moment, ai problem bëhet i imi dhe mundohem t’i gjej zgjidhjen.
KOHA: Çfarë quan mëkat?
Mëkat është t’u bësh shoqërisë apo njerëzve të këqija kastile, në mënyrë të drejtpërdrejtë e akoma më keq, pas shpine.
KOHA: Vendimi më i vështirë që ke marrë ndonjëherë?
Unë nuk bëhem pishman për vendimet që marr. Edhe nëse kam marrë një vendim të gabuar, nuk pendohem sepse kur e kam marrë, kam qenë e ndërgjegjshme për këtë.
KOHA: Si mendon, të gjitha femrat janë pak rivale?
Jo rivale… Do të thosha që secila kërkon atë që i takon dhe kur i hyn në pjesë, kthehet në një rivale të vërtetë.
KOHA: Çfarë vlerëson më shumë në jetë?
Gjëja më e rëndësishme për mua e ma merr mendja për të gjithë në jetë, është shëndeti personal dhe i familjes. Para tij, të gjitha të tjerat të duken dhe vërtet janë fare pa rëndësi. Pas kësaj, vjen harmonia midis njerëzve. Nuk ka gjë më të mirë sesa të jetosh në harmoni me ata që të rrethojnë. Vetë ngjarjet e fundit në Shqipëri na kujtuan sa e rëndësishme është jeta dhe se duhet jetuar deri në detaje.
KOHA: Bukuria është ndër të tjera edhe tregues i një shpirti të bukur?
Mendja e bukur, e bën një njeri të bukur.
KOHA: Pas gjithë këtyre gjërave të bukura në jetën tënde, cilat janë projektet ku do të fokusohet vëmendja jote?
Familja dhe muzika ime.