Një yll i skenës shqiptare e cila gjithnjë ka diçka që ti jap publikut qoftë ato edhe rrëfime të ndryshme e një të ngjashëm e sjellim dhe sot për lexuesit e gazetës KOHA, ku Valbona Halili flet shkurt e qartë mbi veten dhe atë se çfarë i mungon më shumë?
Blerand REXHEPI
E TASHMJA? E lodhshme por me shpresë për një të ardhme të bukur. Situata të vështira si këto duan shumë shpirt dhe forcë për t’i përballuar.
KONCERTET? Më mungojnë pa fund jo vetëm mua, por të gjithë artistëve. Jemi bosh pa to!
E MIRA DHE E KEQJA? Janë bashkudhëtare të pandashme, madje i shoh të domosdoshme për t`i dhënë kuptim secilës. Në fund të fundit, është filozofia e jetës!
DHURATA? I dashuroj pafundësisht, më japin energji pozitive. Ndjehem kaq mirë kur më bëjnë dhurata e sidomos surpriza, sa nuk di të ta shpjegoj! Fakti që personi që po të bën dhuratën, ka menduar deri në detaje për ty më bën të emocionohem, më tepër sesa vlera e dhuratës. Gjithmonë jam kureshtare se ç’dhurata do marr, ndërkohë që unë pothuajse gjithmonë i kam të piketuara dhuratat për disa nga miqtë e mi. Bëj dhurata të bukura, por më shumë preferoj të më bëjnë.
PARFUM? E fiksuar pas tyre s`mund të them, ama që i kam merak shumë, këtë e pohoj me plot gojën. Në çantën time gjen gjithmonë parfumin e fundit nga Dior. Kujdesem të mos dal kurrë nga shtëpia pa hedhur pak aromë parfumi. Është domosdoshmëri për çdo femër.
PESHA? Po ju them një sekret: Kam blerë një peshore dhe në mëngjes, sapo zgjohem nga gjumi, peshohem. Lëviz me disa gramë më shumë ose më pak, por kam peshë konstante, pasi nuk e teproj me ushqimin. Edhe kur ndodh, e rregulloj regjimin ushqimor derisa të arrij peshën që dua. Bëj palestër kështu që nuk e kam shumë problem pjesën e peshës.
PANDEMIA? Na gjeti pothuajse një vit më parë dhe na bëri të pabërën, anuloi jetën artistike, ndaloi tik-takun e muzikës dhe jo vetëm dhe na mësoi një jetë ndryshe, që nuk ishim mësuar më parë, jetë që po jetojmë ende fatkeqësisht në të tilla kushte.
RRAHJET E ZEMRËS? Për çështjen e shëndetit, nuk toleroj. Jam shumë e kujdesshme që me aq sa kam mundësi, të kujdesem nga ana shëndetësore për trupin tim. Rrahjet e zemrës i kam pasur mirë kohët e fundit, me 2-3 përjashtime të vogla, më tepër si pasojë e lodhjes nga situata që po jetojmë por çka është më e rëndësishmja, me zemrën i kam punët shumë mirë, e kam zemrën plot. (Buzëqesh)
RRËMUJA? Nëse ka një gjë që më nervozon e më bezdis, kjo është rrëmuja nëpër shtëpi. Jo se arrij në ekstrem, pasi edhe mund të ndodhë që kur jam e lodhur disa gjëra të mos jenë në vendin e tyre, por rrëmuja nuk ka ekzistuar ndonjëherë në shtëpinë time. Kështu jam unë!
VITI I RI 2021? E pres me dashuri dhe me shpresë. E mira i shoqëroftë të gjithë dhe uroj të këndojmë e të jetojmë mes haresë e gëzimit! Një projekt në ardhje që të zbusë lodhjen e kohës që po jetojmë!