Shkup, 2 nëntor – Vaksinimi kundër gripit sezonal do të fillojë nga 5 nëntori (e hënë) në qendrat e shëndetit publik, në të gjithë vendin.
Këtë vit për herë të parë vaksinimi do të jetë falas për personat mbi moshën 65-vjeçare me pension mesatar dhe nën mesatar, si dhe për ata që nuk kanë pension. Personat tjerë të cilët duan të vaksinohen, duhet të paguajnë 650 denarë, njoftojnë për MIA-n nga Ministria e Shëndetësisë.
Gjithsej janë siguruar 28.000 doza të vaksinave për mbrojtje nga gripi sezonal për vitin 2018/2019.
Bëhet fjalë për vaksinë të re katërvalente kundër gripit, e cila mbron nga katër lloje të gripit dhe është prodhim i kompanisë farmaceutike franceze “Sanofi Paster”.
Vaksina kundër gripit nuk është e obligueshme dhe jepet vullnetarisht, por rekomandohet për personat me sëmundje kronike dhe pacientë të moshuar.