Shkup, 7 shtator – Ministria e Shëndetësisë kumtoi se nga fillimi i epidemisë me morbile (fruthi) deri dje në vend janë vaksinuar 37.189 persona në moshë deri 14 vjet, me vaksinën MRP.
Prej tyre, siç theksohet 16.935 fëmijë janë vaksinuar në Shkup, ndërsa në pjesën tjetër të vendit janë vaksinuar 20.254 fëmijë. Gjatë javës së kaluar, në Shkup janë vaksinuar 28 fëmijë ndërsa në pjesën tjetër të vendit janë vaksinuar 691 fëmijë (në moshën parashkollore dhe shkollore).
Në qendrat e shëndetit publik, në mënyrë shtesë janë aplikuar 6.237 vaksina. Prej tyre më shumë se 60 për qind janë punonjës në shëndetësi, studentë dhe nxënës në shkollat e mesme të mjekësisë, të tjerët janë kontakte dhe persona të moshës mbi 14 vjet.
Nga dhjetori i vitit 2018, janë regjistruar 1,898 raste të fruthit në vend. Mbeten në fuqi masat e rekomanduara dhe aktivitetet të cilat i ndërmarrin qendrat e shëndetit publik, Instituti i Shëndetit Publik, Ministria e Drejtësisë, Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor dhe shërbimet e vaksinimit në pikat për vaksinim, qëndron në kumtesë. (koha.mk)