Nga Fisnik PASHOLLI
Edhe më parë, në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Ballkanin Perëndimor, ka qenë dhe është mjaft e vështirë të parashikohet ecuria e ekonomisë dhe biznesit.
Pandemia vetëm se ka thelluar edhe më tej problemet e vjetra, ka vështirësuar zgjidhjen e tyre, si dhe ka shtuar edhe probleme të reja në listën e detyrave për tu zgjidhur. Bizneset që në fillim të vitit janë të prirur të planifikojnë punën e tyre përgjatë këtij viti, mirëpo një pjesë e madhe e tyre tani varet nga lirimi, lehtësimi apo forcimi eventual i masave shtrënguese, që në fund të fundit nënkuptojnë edhe më pak xhiro në tregti dhe shërbime dhe më pak të ardhura për privatin. Shtetet e Evropës, si Gjermania me financa stabile, ekonomi të fuqishme, prodhimi të bazuar me të madhe tek mijëra e mijëra zanate të vogla dhe punëtoritë që punojnë për fabrikat e mëdha, edhe mund të zgjasin masat kufizuese edhe për një apo dy muaj.
Mirëpo, në rastin e ekonomisë sonë, kur një rritje eventuale tejet e madhe e të sëmurëve, mbi ngarkimi i sistemit shëndetësor, ankthit dhe frikës së popullatës që të harxhojnë në kohë të vështira, dilemat e biznesit për investime apo jo, për ngrirje të biznes vetëm në nivel të mbijetesës, mbyllja e mijëra bizneseve të vogla qoftë e përkohshme apo edhe e përhershme, ngrenë shqetësimin dhe vendosin pikëpyetje të mëdha për kthimin nga e mbara dhe rimëkëmbjen ekonomike. Skenarët më optimist mbështeteshin në vendosjen më të madhe të pandemisë nën kontroll që në muajt janar dhe shkurt, mirëpo vonesat e vaksinimit në BE dhe Ballkan, po na tregojnë se akoma asgjë nuk është e qartë.
Puna e administratës me turne, apo disa paradite e disa pasdite , puna edhe onlajn e një pjesë të sektori privat apo publik, produktiviteti në ulje e sipër i sektorit publik si rrjedhojë e punës në kushtet që imponon pandemia, puna onlajn e pjesës dërmuese të arsimit që po ul edhe konsumin e dyqaneve dhe bizneseve të ushqimit të shpejtë apo furrave të bukës, dilemat e vështira qeveritare se kur dhe si do të lejojnë punën e objekteve hotelerike, restoranteve etj e bëjnë të vështirë përgjigjen se si do të venë punët sivjet në ekonomi dhe biznes. Vështirë të thuhet sa do të kemi një turizëm vendor më të gjallë, sa do të kemi vajtje ardhje të turistëve të huaj dhe ardhjen më masovike të mërgimtarëve që nënkuptojnë më shumë qarkullim për dhjetëra e dhjetëra mijë biznese në Shkup dhe tërë vendin. A do të kemi rritje qoftë edhe minimale prej disa për qind, a do të kemi rënie ekonomike apo do të shkojmë drejt një ringjallje graduale ekonomike, do të tregojnë përllogaritjet e aktivitetit ekonomik në katër tremujorët e vitit 2021.
Për të kapërcyer më lehtë dhe me më pak pasoja, situatën nevojitet një bashkëpunim dhe mirëkuptim i të gjithëve. Qytetarët nevojitet edhe më tej të jenë të durueshëm në zbatimin e masave që kërkojnë autoritetet shëndetësore, edhe pse të gjithëve na ka ardhur në majë të hundës respektimi i tyre, ndërsa politika dhe institucionet duhet të tregojnë më shumë zell dhe përgjegjësi në realizimin e projekteve infrastrukturore apo në zbatimin maksimal të investimeve kapitale, ndihmën nga njëra të komunave në faljen e pjesërishme të borxheve, ndihmës së arkave komunale të goditura nga pandemi, por edhe llogaridhënies në rritjes së komunave për menaxhimin e arkave komunale. Shëndeti i popullatës tani është prioritet i parë , duke filluar nga vaksinimi, informimi për llojet e ndryshme të vaksinave , nevojën e vaksinimit apo jo të një pjesë të popullatës që ka kaluar sëmundjen, sqarimin dhe shpjegimin e pasojave pozitive të vaksinimit , por edhe të përqindjes së vogël të pasojave të padëshirueshme të vaksinës, të sqarimit edhe të mënyrës së veprimit edhe të llojeve të ndryshme të vaksinave që do të vijnë nga prodhues të ndryshëm. Pas kësaj na nevojitet edhe një vaksinim i mëtejshëm i ekonomisë, dhe anulimit në maksimum të barrierave pengesave dhe vështirësive të ndryshme që po hasin afaristët dhe sipërmarrësit në punën e tyre të përditshme. (koha.mk)