Ekipi i robotikës i përbërë vetëm prej vajzave nga Afganistani ka kthyer fokusin e vet kah pacientët me koronavirus, duke prodhuar ventilatorë prej pjesëve të makinave. Tinejxheret ia kishin dalë të rroknin vëmendjen e mediave më të mëdha botërore kur fituan një çmim special në një garë ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato tani janë në luftë me kohën për të prodhuar sa më shumë ventilatorë deri në fund të majit, me një çmim larg më të ulët se ai i tregut, shkruan BBC.
Afganistani, që po mundohet të rimarrë veten pas viteve të tëra në luftë, ka vetëm 400 ventilatorë për një popullsi prej 38.9 milionë banorësh. Deri më tani, më shumë se shtatë mijë e pesëqind raste janë regjistruar, prej tyre 178 raste fatale të konfirmuara, por autoritetet druajnë se situata mund të përkeqësohet dhe se nuk do të jetë në gjendje të menaxhohet situata nga sistemi i brishtë i shëndetësisë së vendit. “Është e rëndësishme nëse ia dalim të shpëtojmë një jetë të vetme me përpjekjen tonë”, ka thënë anëtarja e ekipit, Nahid Rahimi, 17 vjeçe, në një rrëfim për BBC-në.
Të njohura si “Ëndërrimtaret Afgane”, vajzat janë prej krahinës perëndimore të Heratit, ku ishte raportuar rasti i parë me COVID-19 në Afganistan. Është vatra pandemike e vendit për shkak të afërsisë me Iranin, epiqendër rajonale e virusit korona. Vajzat, prej 14 deri në 17 vjeçe, kanë ndërtuar një prototip duke përdorur një motor prej një makine të përdorur të markës “Toyota Corolla”, dhe prej zinxhirit të një motoçiklete “Honda”. Ato thonë se ventilatorët do t’ua japin përkohësisht për ndihmë pacientëve me vështirësi në frymëmarrje në raste urgjente, kur nuk ka ventilatorë në sistemin e dobët afgan të shëndetësisë.
“Jam shumë krenare që jam pjesë e një ekipi që po mundohet të bëjë diçka domethënëse për të mbështetur mjekët dhe infermieret tona – ata janë heronjtë e kohës sonë”, thekson kapitenia Somaya Faruqi. Mungesa globale e ventilatorëve është problem i madh dhe çmimi i tyre sillet prej tridhjetë mijë deri në pesëdhjetë mijë dollarë në tregun botëror për shkak të ngritjes së kërkesës. Kjo është shumë e lartë për shtetet e varfra si puna e Afganistanit.