Vajza shqiptare në “vasharet” serbe! A ka shtet shqiptar?!

A ka ndonjë organ në Shqipëri që ta ketë vënë nën hetim trafikun me vajza të reja, të cilat i çojnë në “vashare” serbe dhe i nxjerrin si mall(të ngjason me tregun e bagëtisë!) duke marrë mijëra euro për “kokë”? A nuk është koha që këtij degradimi moral t’i vihet pikë me forcën e ligjit? Çfarë duhet të jetë trafiku me qenie njerëzore, nëse nuk është ky që ndodh me vajzat shqiptare që shiten si plaçkë në vendin e regjimeve antishqiptare?

Nga Daut DAUTI

I kam qëndruar larg kësaj teme si zjarrit. Jo nga konformizmi, po ngaqë nuk kam ditur ç’të them! I kam ikur edhe nga krupa që të krijon në bark saherë që lexon apo dëgjon për ndonjë rast, e lere më kur është bërë më fenomen. I kam ikur edhe për shkak të paradoksit që përmban edhe nga anakronizmi që po rishfaqet në këtë kohë, por, fundja, i kam ikur sepse s’ke si t’i përzihesh dikujt nëse e ka zgjedhur atë rrugë! Po, ama…

Si pa dashje, duke shfletuar nëpër portale, të del para syve ndonjë një shkrim. Të tilla shkrime, për shkak të fenomenit që trajtonin, shpesh i kam “kërcyer”, duke u hyrë në hak. Sikur kam dashur t’i ik ballafaqimit me të vërtetën, duke mashtruar veten se kjo nuk është e mundur. Për fat të keq, ka vite (ndoshta dhe dekada) që po lexojmë se si vajza, ca të reja, ca në moshë të shtyrë, të pamartuara, ndoshta edhe ndonjë lëneshë a vejane, janë martuar për serbë ose maqedonas. Nga ndonjë fshati veriut të Shqipërisë prej nga zakonisht “rekrutohen”, dhe përfundojnë në beqarë të shtyrë në moshë, për të mos thënë, përfundojnë te ata që askush nuk “i merr” në vendin e tyre. Përfundojnë në familje ku u lindin fëmijë këtyre beqarëve ose vejanëve nëpër katunde ku i ka kapluar “murtaja e bardhë”, për të rritur natalitetin serb…Përfundojnë këto zonja ose zonjusha që ndoshta s’e kanë gjetur ‘kismetin” në vend të tyre, te ata që përveç se ju lindin fëmijët, u ruajnë bagëtinë e ua mjelin lopët a dhentë dhe në fund, gjithë të lumtura dalin para kamerës dhe flasin për burrat e tyre dhe shkrihen nga kënaqësia sikur të kenë gjetur princin në kalë të bardhë!

Dikush do të priste që të paktën të mos dilnin para kamerës që të shprehnin ekzaltimin e tyre, me të cilin ne këtej kufirit të shtetit amë, na shton neverinë, sepse nuk e kuptojmë logjikën e tyre. Nuk kuptojmë shumëçka nga këto “motra tona” nga Shqipëria, as ato, e as familjet e tyre që i lejojnë. Çfarë ndodh me ndërgjegjen kombëtare? (Shpresoj të mos tingëllojë patetike!) Kësaj radhe vërtet e tejkalova vetveten, e vura në sprovë durimin. E lexova shkrimin në agjencinë “Presheva jonë” (“Tmerruese, kur vajzat shqiptare nuse në Shumadi, po e bëjnë Serbinë e madhe?!”, autore: Albana Ferati). Paramendoni, në një fshat ku më parë ishte mbyllur shkolla se s’ka pasur fëmijë, tash është rihapur me 12 nxënës, prej të cilëve 11 i kanë lindur këto plleneshat (fjalori le ta marrë këtë fjalë të sajuar!) shqiptare të martuara për serbë!

Pse një gjë e këtillë ndodh me vajzat nga Shqipëria, të krishtera dhe myslimane madje, sikur të mos ishte “asgjë fare” (“po ç’ne?, ç’të keqe ka?!!!). Unë kam një teori, nuk e kam hulumtuar, po është një këndvështrim personal pse mund të ndodhë kjo! Është te vetëdija e atij Njeriut të Ri socialist? Ju kujtohet poezia e Migjenit për njeriun e ri? I gjori Migjen, do të ketë ëndërruar atë njeriu të ri (që do të kishte dëgjuar se po ndërtohej në atë sistemin e ri bolshevik), që e sjellë kohë e re, sistemi i ri. Atë njeri e krijoi në Shqipëri, në formën më të shkarë në pikëpamje ndërgjegje. Duke e mbyllur në kufijtë e çeliktë, atë e izoloi nga realiteti i botës së përtejme. Ia ndaloi zotin dhe frikën prej tij. Ia mori kodet që i kishte besimi, kodin etik që e ka çdo besim. I bëri shumicën myslimane të hanë mish derri dhe të pinë raki si gjithë të tjerët që feja e tyre nuk ua ndalonte. I izoloi shqiptarët nga bota tjetër, por dhe nga vetë shqiptarët tjerë. Një njeri i ri i socializmit shqiptar, nuk ishte i njëjtë me njeriun shqiptar të socializmit të Titos. Ai shqiptar nuk e dinte se ç’përjeton shqiptari i përtej kufirit nga regjimi që donte t’i zhbënte fizikisht ose t’i dëbonte nga trojet e tyre. Ndoshta dhe s’kishte si t’i vinte në ndihmë vëllai vëllait, sepse vëllai i madh kishte hallin e vet të mbijetesës, dhe nuk e dinte sa vëllai i mbetur përtej kufirit vuante dhe nga kush vuante. Nga kjo largësi nga vuajtjet e vëllait të vogël, mund dhe të mos ndjente sa duhet hallin…

Hapja e Shqipërisë me rënien e komunizmit, solli shpërputhjet e mëdha, ngandonjëherë dramatike, në qasje dhe në këndvështrime rreth çështjeve që duhej përjetuar njësoj. Mbyllja dhe moskomunikimi shumëdekadësh, kishte lënë pasoja, ndaj ndonjëherë e kishim vështirë t’i kuptojmë se pse do gjëra në Shqipëri i shikojnë me një indiferencë të çuditshme. Luftërat që bënë shqiptarët, përveç shumë çështjeve të tjera që solli përafrimi paskomunist, bëri që sadopak shqiptarët e Shqipërisë të shohin nga për së afërmi vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës, dhe t’iu dalin vëllazërisht në ndihmë, jo vetëm për t’i strehuar kur qenë dëbuar nga soldateska millosheviqiane, por dhe për t’iu dalë krah me pushkë.

Por, ka ende gjëra që nuk mund të kuptohen, dhe shkrimi i shkëputur nga “Presheva jonë”, i cili më shtyri nga zemra e plasur ta lexoj, me të drejtë e vë theksin te fakti se “kosovarët nuk mund të kuptojnë…”. Vërtet, nuk mund t’i kuptojnë vëllezërit nga Shqipëria për një arsye që ka lidhje jo me historinë e largët që mund ta kenë harruar, por me historinë më të re të tyre, që ende kullon gjak. Nuk mund të kuptojnë se si pas gjithë atyre tragjedive të mëdha njerëzore që përjetuan në luftën e fundit me regjimet serbe, vajzat shqiptare shkojnë e martohen për serbë, ndoshta për ndonjërin që mund të ketë qenë pjesë e ushtrive, policive e paramilitarëve serbë! Dhe t’i ketë duart e përlyera me gjak shqiptarësh… Çuditen “kosovarët”, çudi se si “shqiptarët” e mediat shqiptare, nuk çuditen me këtë çudi të vëllezërve të tyre! Shkrimi që më përzjeu zorrët tek e lexoja, përshkruante bukur absurdin e ekzaltimit të vajzave të martuara për serbë. Po një pamje nuk do t’më shqitet tash e tutje, pamje të tillë duhet të kenë përmbajtur edhe shumë shkrime të tjera të palexuara, është kjo: “sipas medieve serbe kohë më parë në një nga panairet(lexo “vesharët”- vër. ime) e shumta që organizohen në Serbi, në njërin nga ata në afërsi të Beogradit, ka arritur një autobus përplot me vajza shqiptare shumë prej tyre ortodokse (mbase të krishtera-vër.ime) të moshave nga 20 deri 40 vjet, të cilat u “ekspozuan” para burrave të pamartuar serbë me qëllim njohjes edhe pëlqimit”. Sqarim për ata që nuk e dinë: panair është treg i hapur, që serbët i quajnë “vashar”-ë

Ktheni pak kujtesën, a nuk keni parë këso skenash “normale” në filma që flasin për kohën e tregtisë me robër nga Afrika? Shkojnë kolonistët evropianë, dhe nga Afrika ekzotike rrëmbejnë me dhunë robër, dhe i nxjerrin në pazar për t’i shitur? Shitja s’është larg as në rastin e këtyre martesave absurde, sepse prapa këtyre martesave qëndrojnë agjenci ose shoqata “të specializuara” për ndërmjetësim, të cilat marrin mijëra euro për “shkuesinë” e tyre! Sigurisht se puna e tyre nuk është e fshehtë, kjo ndodh para syve të shqiptarëve indiferentë dhe organeve të pa interesuara!

Mirëpo, ajo që është çështje e etikës dhe rezultat i fshirjes së vetëdijes në shkallë saqë relativizohet fakti që shkojnë e martohen në një shtet “armik” për shqiptarët përtej kufirit (pavarësisht jaranisë së Ramës me Vuçiqin), dhe përcaktimi individual për “kismetin” e jetës që s’ka të drejtë askush të ndërhyjë, është çështja që ka të bëjë me ligjin. Vallë, a nuk është kjo dukuri, ku ndërmjet janë paratë, një trafik me robëresha? Kjo dukuri në çdo shtet modern ndiqet, sepse është e ndaluar. A ka ndonjë organ në Shqipëri që ta ketë vënë nën hetim trafikun me vajza të reja, të cilat i çojnë në “vashare” serbe dhe i nxjerrin si mall(të ngjason me tregun e bagëtisë!) duke marrë mijëra euro për “kokë”? A nuk është koha që këtij degradimi moral t’i vihet pikë me forcën e ligjit? Çfarë duhet të jetë trafiku me qenie njerëzore, nëse nuk është ky që ndodh me vajzat shqiptare që shiten si plaçkë në vendin e regjimeve antishqiptare? “Mall ekzotik” për vend edhe më “ekzotik”! Jo, nuk mund të ndalen martesat, kjo do të ishte jashtë çdo logjike. Na pëlqen ose jo, martesa të përziera, në rrethana krejtësisht spontane ka ndodhur në të dy drejtimet, por ky fenomen nuk është se dikush erdhi në plazhet e Shqipërisë dhe njohu ndonjë vajzë shqiptare dhe lindi dashuria në shikim të parë. Këtu bëhet fjalë për një trafikim klasik me qenie njerëzore, për të qenë turpi edhe më i madh, shpesh edhe me mbulim medial si temë ekskluzive, ku edhe opinioni i gjerë edhe organet që duhet të merren me këtë, e marrin si diçka fare të padhembshme! Ky është edhe degradim i shtetit shqiptar që para hunde i ndodh kjo marrëzi! Për të qenë ironia më e madhe, në shtypin maqedonas është shkruar se në këtë çështje ka qenë e përzier edhe paria e një komune!

Jam i vetëdijshëm se tema është e koklavitur, por s’mund t’i ikësh. Është e tmerrshme logjika “po çka se?” E di që shumica e shqiptarëve nuk e shikojnë me sy të mirë këtë dukuri të shëmtuar, por ka të tillë, ndoshta dhe në media, që gjërat vërtetë dinë t’i relativizojnë. Dhe shpesh më sillet ndërmend ajo pyetja e një moderatori të njohur, i cili ndër “kryeveprat” e veta ndoshta e konsideron mysafirllëkun e Zdravko Çoliqit në shoun e tij, i cili kishte pasur reagime negative nga Kosova. Ky, kishte shkuar një hap më tutje, duke folur jo për Çoliqin, i cili dhe nuk është shquar për ndonjë paraqitje antishqiptare, por për një tjetër: vallë për shkak të qëndrimeve politike a të mos ftohet një regjisor si Emir Kusturica? Mendoj se është i tepër çdo koment!

Në kohën e komunizmit, regjimi u kishte shpallur luftë të gjitha zakoneve të mbrapshta, siç ishte martesa pa dëshirën e vajzave, martesa në djep, ose martesat me pare. Ironikisht, dukuria e shitjes së vajzave shqiptaret, po rishfaqet në formën më poshtëruese, dhe kurrkujt kurrgjë. Vetëm një njeri i shfytyruar, me ndërgjegje e memorie të fshirë, ai i njeriut të ri socialist që po nxjerr “pinjollë” edhe tash, ka mundur të realtivizojë origjinën etnike, fetare ose kodin etiko-moral të shqiptarit, sa të mos tronditet nga kjo shëmti. Vetëm ky diskontinuitet i ndërgjegjes mund të lejojë që vajzat të përfundojnë te beqarët e “shtetit armik”. Varfëria të çon edhe në derë të hasmit, ka thënë populli, por a thua i çon moskamja këto vajza në shtratin e atyre që mohojnë masakrat ndaj shqiptarëve edhe sot e kësaj dite!

“O Zot, ku po shkon kjo botë?!”, “klith” ngandonjëherë Hekri, personazhi i “Portokallisë”! Çka të thuhet tjetër!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)