Vajza me probleme në shikim luan në piano

Në sallën e muzikës të shkollës për nxënës me aftësi të kufizuara Pembina në jug të Xhakartës në Indonezi, një vajzë 10-vjeçare me shikim të dëmtuar, shihet duke i rënë një instrumenti. Ajo i bie instrumentit në bazë të shkathtësive pasi nuk mund të shohë tastierën, shkruan Anadolu Agency (AA).

Allafta Hirzi Sodiq, e cila njihet edhe si Zizi, i bie pianos duke kënduar këngën e Louis Armstrong “What a Wonderful World”.

Ajo që e bën edhe më të mahnitshme rastin është se ajo këndon këtë këngë me aranzhimet e saj. “Me të vërtetë dua ta aranzhoj këngën”, tha ajo për AA të premten.

Përkundër kufizimeve që ka, ajo ka arritur shumë gjëra. Vitin e kaluar, Zizi fitoi një trofe ari gjatë Festivalit Aziatik të Artit në Yong Siaw Toh të Singaporit.

Ky ishte një hap i madh për të, pasi qindra pjesëmarrës nga 13 vende merrnin pjesë në këtë ngjarje. Në atë kohë, Zizi luajti aranzhimin e saj të fonogramit Pinocchio “When You Wish Upon A Star”.

Ajo gjithashtu fitoi çmimin Diamond në vitin 2017 në Festivalin e Pianos në Indonezi dhe u bë kampione e Festivalit Kombëtar dhe Konkurrencës Kombëtare të Artit për vitin 2017.

Më herët gjatë këtij muaj, Zizi sfidoi veten duke marrë pjesë në “Asia Got Talent” në Singapor. Gjatë provës, ajo luajti aranzhimin e saj të Andrea Bocellit, “Time to Say Goodbye” dhe të Calum Scott “You Are The Reason”.

Jo vetëm kaq, Zizi, vajza e Nur Afifah dhe Jafar Sidiq, gjithashtu merr nota të larta në shkollë.

Lindja e mrekullisë së pianos

Nur Afifah kurrë nuk ka menduar se vajza e saj e sapolindur do të ishte e verbër. Në muajin e pestë të shtatzënisë, Nur papritmas kishte gjakderdhje të tepruar.

Në fillim, mjeku parashikoi se foshnja e saj nuk do të mbijetonte. Për fat të mirë, fëmija që peshonte 900-gram, Zizi kishte lindur në mënyrë të sigurtë, e gjallë dhe e shëndetshme.

Kur vajza e saj u bë shtatë muajshe, Zizi kishte temperaturë të lartë. Mjeku e diagnostikoi atë me Retinopati të parakohshme dhe përfundimisht çrregullimi shkaktoi dëmtime të përjetshme.

Pas kësaj, Nur ra në depresion. Ajo dhe burri i saj mezi e pranuan fatin e tyre. Për rreth tre vjet, Nur u mbyll në shtëpinë e saj.

“Në atë kohë, me të vërtetë doja të vdisja”, tha Nur, ndërsa i kujtonte kohërat e vështira.

Që atëherë, Nur u angazhua duke lexuar libra ose referenca për zhvillimet potenciale të fëmijëve me shikim të vështirësuar.

Nur e inkurajoi vajzën e saj që të mësojë muzikën duke i mundësuar të dëgjojë sa më shumë instrumente muzikore.

Kur Zizi ishte në moshën 3 vjeçare shprehu interesin për të luajtur instrumente, sidomos piano, që e bëri Zizi tërësisht të përkushtuar së shpejti.

Nur gjithashtu zbuloi se vajza e saj mësoi të luante instrumente muzikore vet.

Dy vjet më vonë, Zizi mori pjesë në një konkurs muzikor, ku ajo fitoi njohje publike si fëmija pianist i verbër.

Në moshën 7-vjeçare, Zizi mësoi të luajë piano nga pianisti Elise Widirastri. Që atëherë, aftësitë e saj vazhduan të përmirësohen gjithnjë e më shumë.

Treguesi i historisë

Nga shkathtësia e aranzhimit të muzikës deri te zëri i bukur, Zizi me të vërtetë i posedon të gjitha.

Zizi është e mirë edhe në rrëfimin e tregimeve. Kohët e fundit, ajo fitoi vendin e parë në Konkursin e Shkrimit në Xhakartë. Nëse gjithçka shkon mirë, ajo mund të marrë pjesë në ngjarje të ngjashme në muajt e ardhshëm.

Ajo gjithashtu preferon të mësojë Kur’anin. Çdo ditë pas namazit të akshamit, Zizi lexon disa vargje të Kur’anit dhe i mëson ato përmendësh. Çdo natë të së enjtes, Zizi lexon suren Jasin dhe lutet për familjen dhe miqtë e saj.

Triyanto Murjoko, drejtori i shkollës për nxënës me aftësi të kufizuara Pembina tha se është krenar për arritjet e Zizit.

“Çdo fëmijë me aftësi të kufizuara ka talentet e tij. Nëse ne i mbështesim sinqerisht, ata mund të lulëzojnë”, tha Murjoko.

Ndërkohë, Zizi zbuloi se ëndrra e saj e fundit është të këndojë “Make You Feel My Love” e këngëtares britanike Adele. Për ta arritur këtë, ajo inkurajon veten të japë më të mirën nga vetja si pianiste.