Tërmeti i 26 nëntorit shoi 3 pjesëtarë të familjes Greku. Pëllumb Greku, Çelike Greku dhe Sajmir Greku jetonin në një prej pallateve të shembura në Thumanë. Bashkëshortët gjetën vdekjen në vendngjarje, ndërsa 31-vjeçari doli i gjallë nga rrënojat dhe ndërroi jetë disa orë më vonë në Spitalin e Traumës.
Në një rrëfim ekskluziv për “vklan.al”, Klotilda Greku, gruaja e Sajmir Grekut rrëfen për natën tragjike kur humbi bashkëshortin. Fati deshi që ajo dhe vajza e vogël Klejsa të vizitonin prindërit e saj fundjavën që lamë pas dhe nuk ndodheshin në shtëpi, kur ra tërmeti me magnitudë 6.4.
Klotilda kishte biseduar në telefon mbrëmjen e së hënës me bashkëshortin e saj. Madje kishin bërë shaka për tërmetin e rënë po atë mbrëmje.
30-vjeçarja tregon se kishte planifikuar të nisej drejt Tiranës disa ditë me herët, e të kthehej më herët, por kishte qenë pikërisht Sajmiri që e kishte bërë që ta shtynte vizitën tek prindërit e saj, pasi donte të rrinte me të bijën.
Tërmetin e orës 03:00, Pëllumb Greku kishte biseduar në telefon me një prej mbesave të tij, e cila i kishte kërkuar që të dilnin nga banesa, në çdo rast. Por ai i kishte thënë se Sajmiri ishte në gjumë, se i vinte keq ta zgjonte të birin dhe se “nuk është gjë, e se jemi mësuar ne tani me tërmetet”.
Prej sa vitesh ishit të martuar?
Kemi 3 vite që jemi zyrtarisht bashkë, nuk kemi bërë martesë. Ka një vit e gjysmë qëkur ka lindur vajza që ne kemi jetuar tamam në një shtëpi, sepse unë isha në punë dhe detyrohesha të ikja dhe të vija, edhe fundjavave.
Kjo është vajza, Klejsa?
Klejsa. Është një bashkim emrash të emrit tim dhe të Mirit. Është 1 vjeç e 7 muajshe. Ishte prioriteti i Mirit, për të gjitha gjërat. Do të bëj gjithçka për vajzën, thoshte, ishte idhulli. Vajzat kanë zakonisht babain idhull, por ai e kishte idhull vajzën, sikur ishte më e veçanta në botë, e thoshte me krenari. Madje ne nga ana jonë i them cucë vajzës dhe thoshte, kjo është cuca ime.
Çfarë të tregoi?
Ishte nga ora 22:00 që folëm ne, me të gjithë pjesëtarët e familjes, folëm me vjehrrin, me vjehrrën, foli dhe goca me babin me nënën me gjyshin dhe tha ra tërmet.
Edhe po bënin shaka me mua, më thoshin që ishte shumë i fortë, sepse e dinë që unë kam shumë frikë. Vjet e përjetova vetë me vajzën të tërmetin tjetër që ra.