Sofje, 19 mars – Drejtori i Europol-it, Rob Vajnrajt sot deklaroi se rreth 800 persona nga Ballkani Perëndimor kanë luftuar në anën e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.
“Në Bashkimin Evropian ka 30.000 terroristë potencial”, theksoi në hapjen e mbledhjes së Europolit, që mbahet në suaza të kryesimit bullgar me Këshillin e Bashkimit Evropian në Sofje.
Ai paralajmëroi se Bullgaria dhe shtetet tjera evropiane janë nën kërcënim nga terrorizmi.
“Rreziku kryesor për Evropën është zgjerimi i aktiviteteve terroriste, si dhe kiber kërcënimi dhe grupet kriminele të cilat ekzistojnë në disa shtete. Shpresoj se kërcënimet do të zvogëlohen, por në shumë vende grupet e radikalizuara përafërsisht janë aktive dhe ne i përforcuam kapacitetet dhe ua vështirësuam terroristëve t’i kryejnë aktivitetet e tyre”, potencoi Vajnrajt.
Europol vitin e kaluar realizoi rreth 1.600 aksione.