Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgël, thotë se duhet të priten deklaratat dhe reagimet zyrtare nga ana e autoriteteve hungareze para se të komentohet kërkimi i azilit të Nikolla Gruevskit.
“Duhet të priten faktet, deklaratat zyrtare të organeve hungareze dhe atëherë të krijohet një pasqyrë reale. Gjithsesi, në BE ekziston një raport politik i shprehur qartë kundrejt gjendjes dhe respektimit të shtetit juridik në Hungari, kjo është e njohur. Nuk besoj se ky rast do të ndikojë ndaj kësaj pasqyre, por do të jetë lëndë interesimi për mediat edhe në Hungari edhe jashtë saj”, deklaroi Vajgël për MIA-n.
Ai konsideron se arratia e ish kryeministrit nuk do të duhet të ndikojë “drejtpërdrejt” ndaj rrugës euroatlantike të Maqedonisë.
“Për këtë vendoset në vende të tjera, para së gjithash në Kuvend me marrëdhënien aktive kundrejt Marrëveshjes me Greqinë dhe për këtë individualisht vendosin edhe deputetët në Kuvend, të cilët duhet ta dinë se në pyetje është e ardhmja e vendit të tyre dhe se nuk është koha për prioritete taktike”, tha Vajgël.
Raportuesi për Maqedoninë është i mendimit se situata e sapokrijuar nuk do të ndikojë ndaj atmosferës në vend dhe prioriteteve euroatlantike.
“Shpresoj se në frymën e të drejtës dhe rregullave të BE-së do të veprojë edhe qeveria dhe organet hungareze”, tha Vajgël për MIA-n.