Evis HALILI
Shkup, 14 dhjetor – Janë 80 vepra të artistit Burhan Ahmeti që qëndrojnë të ekspozuara në galerinë “Çifte Hamam”, që shpërfaqin një profil shumëdimensional të artistit. Piktura dhe grafikë, tematika dhe teknika të ndryshme që mahnitin me energjinë kreative, fuqinë e transmetimit të mesazhit, shpirtin eksplorues, stilet që ndërthuren vazhdimisht dhe në harmoni me njëri-tjetrin.
“Utopia” është ideuar të titullohej kjo ekspozitë nga autori, por që për arsye estetike titulli nuk figuroi në panonë në hyrje. Dhe jo pa arsye. Në qendër të brengës artistike është një fenomen që nuk mund të lërë indiferent një artist si Burhani. Trashëgimia në zhdukje, monumentet dhe të gjitha thesaret e tjera që janë prishur, shkatërruar, apo janë zhdukur, janë zëvendësuar me kiç, apo beton. Artisti i rikthen sërish në telajo, ashtu siç kanë qenë dikur. Ajo që e bën më të veçantë këtë ekspozitë është fakti se shumë prej punimeve nuk janë realizuar vetëm në studion e artistit, por në shumë vende të ndryshme të botës si, Amerikë, Turqi, Kinë, Serbi, Mal të zi, Kosovë.
“Shumicën e veprave i kam realizuar viteve të fundit edhe atë në disa shtete si dhe pjesën tjetër në studion time. Shihet një laramani stilesh pasi që i kam realizuar në vende të ndryshme me inspirime nga më të ndryshmet edhe pse stili, teknika dhe mënyra e trajtimit të një kompozicioni grafik apo piktural kanë një lidhshmëri. Trajtoj tema të ndryshme aktuale, detaje nga trashëgimia e jonë e pasur kulturore, etnografinë, florën dhe te disa vepra vërehet ekspresionizmi abstrakt.
Për dallim nga pikturat në grafikat e mia dominojnë më shumë lloje të teknikave edhe atë ajo e litografisë, akuatintës, gjilpërës së thatë, bakërshkrimit, drugdhendjes, seriografisë, teknikës së kombinuar etj. Te grafikat në përgjithësi përpos ngjyrës së zezë e kam përdorur si theks edhe ngjyrën e kuqe në mënyrë simbolike”, thotë artisti.
Sa i takon grafikave ato janë të madhësive të ndryshme, në miniaturë edhe më përmasa më të mëdha, kryesisht me shtyp të thellë të realizuara përveç drugdhjendjeve. Edhe tek pikturat vijnë me teknika, madhësi dhe motive të ndryshme. Kuratorja e kësaj ekspozite Tanja Bundalevka, veçon se veprat e Burhan Ahmetit karakterizohen nga një afirmim burimori teknikave të grafikës, dhe një intelektualizëm i theksuar drejt artit vizual. Për Bundalevskën veprat e tij janë të pastruara nga konceptet duke na zbuluar anën tjetër të tyre, forma të dizajnuara me efekte dekorative me ngjyra dhe një shije të veçantë të renditjes në hapësirë.
“Mes simbolikës dhe asocimit, të së dikurshmes dhe të tashmes, gjurmët e së kaluarës dhe nxitjes së të resë, elementet figurative të shenjave, simboleve, materialeve e përcaktojnë dhe transformojnë hapësirën si forma të reja për përdorimin e të vjetrave si të reja”, shkruan Bundalevska. Ekspozita do të qëndrojë hapur deri më 19 dhjetor në galerinë nacionale “Çifte Hamam”. Kjo është ekspozita e njëmbëdhjetë e artistit Ahmeti, që po ashtu numëron edhe pjesëmarrje në shumë ekspozita kolektive dhe koloni artistike në vend dhe jashtë.
Burhan Ahmeti është diplomuar në degën e Grafikës në Fakultetin e Arteve në Tetovë, ka magjistruar në Fakultetin e Arteve të Bukura në Prishtinë, ndërsa vitin e kaluar doktoroi në Fakultetin e Arteve në Novi Pazar. Ai është pedagog në Fakultetin Pedagogjik në Shkup, ligjëron Metodikën e artit figurativ. (koha.mk)