Tetovë, 19 shtator – Në Universitetin Shtetëror të Tetovës sot u promovua botimi në gjuhën shqipe i librit “Nyjet multietnike të Maqedonisë – beteja për një ose më tepër shoqëri” nga Petar Atanasov, zëvendës-ministër aktual i Arsimit dhe Shkencës.
Sipas autorit, marrëdhëniet multiektnike janë në mesin e dy sfidave, të cilat Maqedonia i ka në pavarësinë e saj gati tridhjetë vjeçare.
Në libër është sqaruar koncepti i Maqedonisë, se si është ndërtuar dhe se si vendi, siç tha autori, së pari ka hequr dorë nga një ide e përgjithshme për një multikulturizëm cilësor dhe bashkëjetesë, gjuhë të përbashkët mes bashkësive që do të kontribuonte për jetë më të mirë. Njëkohësisht, tha, është dhënë edhe një vizion për të ardhmen.
“Të gjithë duhet ta respektojmë të ashtuquajturin koncept të solidaritetit dhe bashkëjetesës qytetare, por në teori i njohur edhe si nacionalizëm qytetar. Duhet që shoqëria të vijë në nivelin që të jetë korrekte dhe e drejtë për secilin qytetar, por, kuptohet, të respektohen elementet nga Marrëveshja e Ohrit”, deklaroi Atanasov, duke shtuar se Maqedonia duhet të ndërtojë model cilësor dhe koncept të bashkëjetesës dhe multikulturalizmit vetëm në kuadër të procesit të eurointegrimeve.
Deputetja Gjylymser Kasapi, një nga promotoret e librit, tha se prej se kur e ka lexuar librin në gjuhën maqedonase, kishte shfaqur dëshirë dhe iniciativë që libri të përkthehet edhe në gjuhën shqipe, sepse, siç tha, tema është aktuale dhe se është e nevojshme që për të të bisedohet.
“Kemi nevojë për bisedë dhe mirëkuptim ndërmjet popujve, përkatësive etnike, religjioze ose politike, që të vijmë deri në gjendjen e marrëveshjes së vërtetë. Ua rekomandoj këtë libër studentëve të të gjithë universiteteve në Maqedoni nga fusha e shkencave humanitare”, tha Kasapi për librin e Atanasovit, e cila edhe në gjuhën shqipe është botim i “Prosvetno Dello”-s.