Laura PAPRANIKU
Shkup, 6 korrik – Disa javë pasi janë miratuar në Qeveri kuotat e regjistrimit të studentëve për vitin akademik 2017/2018, universitetet publike kanë nisur të publikojnë konkurset me vendet e lira për fakultete dhe drejtimet që ofrojnë këtë vit, shkruan gazeta KOHA.
Universiteti “Kirili dhe Metodi” në Shkup, ka shpallur Konkurs për pranimin e 10818 studentëve, kurse Universiteti i Tetovës për 3870 studentë. Në të dyja këta universitete publike, nuk do të ketë më studime të disperzuara, të cilat u pezulluan këtë vit me vendim të Qeverisë për UKM-në, ndërsa para tre viteve për UT-në. Risia e këtij viti për UT-në është zgjerimi me dy fakultete të reja, Fakulteti Pedagogjik i cili deri vitin e kaluar ishte në kuadër të Fakultetit Filozofik dhe Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, i cili u themelua me akt të veçantë juridik vitin e kaluar. Në këta dy fakultete UT do të pranojë 100, respektivisht 180 studentë. Ndërkaq, nisur nga konkursi për vendet e lira në vitin akademik 2017/2018, fakultetet me numrin më të madh të studentëve në UT janë i Shkencave Matematike Natyrore me 520 vende, i Ekonomisë me 450 vende dhe i Shkencave Mjekësore me 390 vende. Në radhë, për nga numri i vendeve të lira vijnë Fakulteti i Shkencave të Zbatuara me 385 vende, Filozofisë me 380 vende, Filologjisë me 370 vende dhe Juridikut me 330 vende. Për Fakultetin e Administrim Biznesit në Kumanovë janë caktuar 220 të lira, ndërsa me më pak se 200 vende janë fakultet e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit (190), i Arteve (185), i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë (180), i Kulturës Fizike (170) dhe i Pedagogjisë (100). Në total, numri i vendeve të lira që janë rezervuar për studentët e rinj në 13-të fakultetet e UT-së për vitin akademik 2017/2018 është 3870, prej të cilave 1405 vende me kotën shtetërore të financimit, 2005 me kotën e bashkëfinancimit dhe 460 me korrespondencë. Regjistrimi i studentëve për afatin e parë do të jetë nga 15 deri 18 gushti, ndërsa për afatin e dytë nga 29 gusht deri më 4 shtator. Regjistrimi i studentëve të UKM do të bëhet gjithashtu përmes dy afateve të rregullta të regjistrimit, i pari më 17 dhe 18 gushti dhe i dyti më 4 shtator. Ndërkaq, në rast të mos plotësimit të vendeve të parapara në të gjitha universitetet do të kenë afat plotësues.
Katër universitet tjera publike, “Nënë Tereza” në Shkup, “Klimenti i Ohrit” në Manastir, “Goce Dellçev” në Prilep dhe “Apostol Pavli”, pritet të publikojnë ditëve në vijim konkurset me vendet e lira dhe afatet për regjistrimin e studentëve të rinj. Përndryshe, me vendimin që solli Qeveria më 18 qershor, për të gjitha universitete publike janë siguruar 26.105 vende, prej të cilave 13.953 për studentë të rregullt në kuotën shtetërore, 8367 për studentë të rregullt me bashkëfinancim dhe 3785 për studentë me korrespondencë. Një vëmendje e veçantë, sikurse bënte të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës, i është kushtuar studimeve që ofrojnë kualifikime të nevojshme për tregun e punës. “Gjatë konfirmimit të numrave për regjistrim të studentëve është bërë llogari për nevojat e tregut të punës, deficitin e profesioneve dhe mundësitë e disponueshme për punësim, numrin e studentëve për të cilat janë akredituar fakultetet, si dhe për treguesit për interesin e nxënësve të shkollave të mesme për regjistrim në fakultete të caktuara viteve të kaluara”, bënte të ditur MASH-i. Si rezultat të qasjes së diskriminimit pozitiv gjinor dhe eurointegrimeve, është marrë vendim që në UKM të aktivizohen studimet gjinore në Fakultetin Filozofik, të cilat ishin pezulluar 5 vjetet e kaluara, si dhe studimet për Siguri dhe Eurointegrime, të cilat gjithashtu ishin të pezulluara viteve të fundit. Për herë të parë këtë vit janë konfirmuar edhe kuotat për regjistrimin e studentëve me vetëm njërin prind, në programe të caktuara e që do të paguajnë gjysmën e shumës për regjistrim.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.