UT dhe Universiteti i Mjekësisë nga Tirana nënshkruan memorandum bashkëpunimi

Shkup, 6 prill – Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Mjekësisë nga Tirana nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Marrëveshja u firmos nga rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti dhe rektori i Universitetit të Mjekësisë nga Tirana, Arben Gjata.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti, theksoi se me këtë bashkëpunim të dy universitetet kanë rënë dakord të bashkëpunojnë për nxitjen e shkëmbimit të shumanshëm, në funksion të zhvillimit institucional.

“Bashkëpunimi ndërmjet  dy universiteteve, gjegjësisht Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Mjekësisë nga Tirana do të përfshijë: Shkëmbimin e personelit akademik për procesin mësimor; Shkëmbimin e pedagogëve, të kërkuesve dhe të studentëve në kuadrin e veprimtarisë kërkimore-shkencore; Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe formuese; Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare e botime në fusha me interes të dyanshëm); Shkëmbimin e literaturës shkencore; Shkëmbimin e përvojës lidhur me menaxhimin institucional”, tha rektori i UT-së Vullnet Ameti

Sipas marrëveshjes, të dy universitetet bien dakord që realizimi i aktiviteteve të kryhet në varësi të burimeve dhe potencialit të disponueshëm nga secili institucion.