Tetovë, 13 mars – Në Universitetin e Tetovës, “Java e veçantë studimore”, u përmbyll me debatin shkencor, me temën “Shkolla dhe arsimi në shekullin 21”, ku diskutuan emra eminentë të fushës së arsimit, në mesin e të cilëve edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami. Në këtë takim, përveç ministrit Bajrami, të ftuar kanë qenë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë, Pishtar Luftiu dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Përfaqësuesi i Shoqatës “Arsimi” nga Zvicra, Mahir Mustafa, u shpreh i kënaqur se aktiviteti i lartpërmendur përmbyllet me këtë debat i cili i trajton çështjet arsimore, sfidat e shkollës shqipe që nga hapja e saj e deri më sot. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij për pjesëmarrësit, ekspertët e arsimit shqip të cilët pa hezitim e mbështetën këtë debat.
Dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, Fatbi Osmani, i cili tha se qëllimet e manifestimit ,,Java e veçantë studimore” kanë qenë të shumta dhe studentët kanë pasur mundësi që t’i zgjerojnë njohuritë e tyre teorike dhe të pasurojnë praktikën mësimore; të jenë në gjendje që në mënyrë kritike të merren me vetveten, të rishikojnë normat dhe vlerat, qëndrimet dhe botëkuptimet personale; të kuptojnë profesionin e mësuesit-edukatorit e kështu me radhë. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, në fjalën e tij vlerësoi se rruga drejt ndërtimit të një arsimi cilësor shkon përmes mësimdhënësve të përgatitur dhe për ta arritur këtë nivel duhet stimuluar mësuesit e rinj duke u siguruar kushtet e nevojshme. “Arsimi ynë sot përballet me tri sfida shumë serioze: si të sigurojmë respekt për mësuesit; si të sigurojmë mësues me autoritet dhe si ta stimulojmë mësuesin në punën e tij”, vlerësoi ministri Bajrami.
Dekani i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës, Fatmir Sulejmani, duke ju referuar reformave arsimore në Maqedoni u shpreh se gjatë dy dekadave të shkuara janë bërë një sërë përpjekjesh për modernizimin dhe reformimin e sistemit arsimor, janë organizuar shumë seminare, janë shfrytëzuar mjetet materiale të shumë fondacioneve për projekte të panumërta nga jashtë e nga brenda vendit, por gati të gjithë kanë rezultuar të pasuksesshëm dhe, si të tillë, janë braktisur në fazën e zbatimit praktik të risive. Profesori universitar nga Republika e Shqipërisë, Adem Tamo, theksoi se në trojet shqiptare ka mësues shumë të mirë, si dhe nxënës me talent të jashtëzakonshëm, por sipas tij mungesa e mbështetjes institucionale për mësuesit ndikon tek zhvillimi i talentit të fëmijëve. Ndërsa Xheladin Murati, duke folur mbi sfidat e arsimit në Maqedoni, u shpreh mjaftë i zhgënjyer me politikat arsimore. Ai, madje theksoi se është e papranueshme që ministër i arsimit të emërohet ,,dikush”, që nuk është ”takuar” asnjëherë me ditarin. Profesori universitar nga Republika e Kosovës, Dukagjin Popovci, duke folur për rolin dhe pozitën e mësuesit si dhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me arsimin, si në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, deklaroi se është e domosdoshme që të ketë një bashkëpunim ndërinstitucional midis tri ministrive dhe të hartohet një program i përbashkët mësimor, si për arsimin e ulët po ashtu edhe për atë të mesëm dhe të lartë. (U.T.)