Usyk: Nuk jam ende gati për Joshua-n

Boksieri Oleksandr Usyk, që më 10 nëntor mbrojti titujt kampionë bote në peshën “cruiserweight” në kategoritë IBF, WBA, WBC e WBO, ka deklaruar se nuk është ende gati për të bërë hapin e madh: Të kalojë në peshën e rëndë dhe të duelojë me Anthony Joshua. Ukrainasi Usyk, 16 fitore e asnjë humbje në karrierën e tij si profesionist, mundi britanikun Tony Bellew në Manchester me “KO” në raundin e tetë dhe u përfol se sfida e radhës do të jetë në Divizionin tjetër.

Boksieri ukrainas pranon se vitin e ardhshëm do të ndryshojë peshë, por nuk do të duelojë menjëherë me Joshua. “Të bëhem kampion bote në peshën e rëndë nuk është një fiksim për momentin. Është një objektiv për të ardhmen, por do t’i marr gjërat me ngadalë para se të vendos. Është shumë shpejt për të bërë këtë ndryshim të madh në karrierën time. Do të pres edhe pak, do të shoh situatën dhe gjërat përreth meje para se të vendos”, u shpreh Oleksandr Usuk.