Duke u inkuadruar në debat Iljaz Ramajli tha se “kur kemi ardhur në këtë bisedë, kemi konsideruar se si do të quhet kjo, se kjo do të jetë një pikënisje e orientimeve kryesore të aktivitetit të gjithë atyre të cilët marrin pjesë këtu. Natyrisht, jam i bindur se atë në fund që do ta konkludojmë, nuk do të jetë plotësisht obligative për subjektet, por nëse ato pranohen, gjithashtu jam i bindur se do të operacionalizohen nëpër programet politike të partive apo do të jenë bazë për veprimin e Kuvendit të Kosovës dhe të Këshillit Ekzekutiv. Unë në këtë mënyrë e kam kuptuar këtë bisedë dhe si të tillë e konsideroj shumë të dobishme, megjithëse pak të vonuar. Pjesën e parë të tezave, të cilën e shqyrtuam dhe për të cilën e dhamë mendimin tonë, mendoj se Vetoni provoi t’i sublimojë dhe t’i kanalizojë me qëllim që mos të përsëriten gjërat. Prandaj, personalisht, por edhe në emër të shokëve të mi i pranojmë sa i përket pjesës së parë. Kur është fjalë për strategjinë e veprimit, do të isha ndalë vetëm në pjesën e cila do të bënte me veprimin e mëtejmë të Kuvendit edhe të Këshillit Ekzekutiv si dhe organeve krahinore të cilat tani nuk funksionojnë. Ka patur dilema, edhe pse tani konsideroj se nuk duhet ajo çështje të përmendet, pasi nuk ka patur formë zyrtare të qëndrimit të një partie apo një subjekti tjetër, pra rreth çështjes a ka qenë mirë që delegatët e Kuvendit janë larguar nga Kosova. Tani biseduam këtu për veprimin e partive të tanishme në Kosovë, për veprimet e organeve dhe u propozua krijimi i një trupi koordinues, pa marrë parasysh si e quajmë, ajo do të ishte mbipartiake dhe mbishtetërore. Mirëpo, veprimi i tij mund të kuptohet si mbipartiak dhe mbishtetëror, sepse brenda tij nuk ka përfaqësues të partive dhe të pushtetit. Kështu unë e kuptova. Mendoj se propozimi që të formohet dhe të funksionojë Trupi koordinues ndërpartiak në nivel të Kosovës edhe Trupi koordinues ndërpartiak në nivel të Jugosllavisë është i mirë. Edhe këtë koncept e përkrahi. Nuk e përkrahi plotësisht konceptin që të krijohet një Trup koordinues i tillë, nëse ai nuk do të nxirrte qëndrimet dhe të veprojnë në mënyrë ilegale. Tani në fund Vetoni e përmendi çështjen e zgjedhjeve. Me të vërtet është mirë që këtu të bisedohet, por duhet shikuar shumë më gjerë çështjen e daljes në zgjedhje në nivel komunal dhe krahinor, se sa që kanë paraqitjet e disa njerëzve në mjetet publike të informimit. Dalja në zgjedhjet komunale në fakt do të thotë pranimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë. Arsyetimi për dalje në zgjedhje deri më tani ka patur argument kryesor – marrjen e pushtetit lokal. Nëse shfletohet Kushtetuta e Republikës së Serbisë qartë shihet se organet lokale në Kushtetutën e Serbisë nuk kanë kompetencat që i kanë patur me Kushtetutën e vjetër të Serbisë. Organet lokale janë sjellë në atë pozitë, që në përpikëri duhet t’i zbatojnë aktet ligjore dhe orientimet politike të cilat do t’ju imponon Kuvendi Republikan. Duhet të dihet se edhe ajo pak që ka mbetur nëpër komuna, nuk do të jetë e mundur të realizohet ashtu si mendojnë partitë politike të cilat marrin pjesë në zgjedhjet komunale. Sa i përket zgjedhjeve në Kuvendin krahinor, si e ka definuar Serbia, pjesëmarrja në zgjedhje, për kuptimin tim, do të ishte e barabartë me tradhtinë e interesit kombëtar. Prandaj, përkundër faktit që mund të keqkuptohemi, është rrezik që të hapet çështja, se a duhet apo jo të merret pjesë në zgjedhjet komunale dhe krahinore”. Ndërkaq Fehmi Agani, tha se “nga të gjitha bisedat këto të fundit veçanërisht akceptojnë në përmasa pak a shumë reale faktin e bllokadës së mundësive për jetën politike në Kosovë. Realisht ekzistimi i partive politike dhe veprimi i tyre në Kosovë është gjysmëlegale. Gjendja reale në Kosovë, gjendja të cilën Serbia e ka imponuar, është gjendja e një pseudolegalizimi të pluralizmit, gjoja është një gjendje e legalitetit të partive politike. Të gjitha partitë politike, në një sistem shumëpartiak, e kanë si objekt synimin dhe si formë aktiviteti janë të drejtuara kah pushteti. Është veprimi ndaj barazisë së shqiptarëve e cila manifestohet kur është fjalë për Kosovën, si çështje e konstituimit të barabartë dhe të pavarur të Kosovës në kuadër të bashkësisë federative apo konfederative etj. Shtrohet pyetja e Maqedonisë për barazi politike dhe ekonomike si dhe shoqërore, kulturore të shqiptarëve. Po ashtu edhe në Mal të Zi dhe në Serbi. Me fjalë tjera, mendimi i im është të hyjë në konkluzione se vetëm situata tërësisht e ndryshuar na bënë të shtrojmë ndryshe çështjen shqiptare në Jugosllavi. Ne, momentalisht po nisemi prej kësaj dhe po akceptojmë këtë gjendje, pse për shkak se situata nuk premton gjë tjetër, do të ishte më mirë që ne këtë ta themi në orientimet tona programore, sikurse e kanë partitë në Kosovë. Një orientim është edhe te partitë në Maqedoni, duke pranuar integritetin etj… Materialin që e kemi marrë e kemi parë. Dihet se ekzistojnë dy opsione lidhur me rekonstruktimin e Jugosllavisë: opsioni si shtet i republikave, si strukturë e republikave, për të cilin do të vendosin republikat dhe për shtet për të cilin do të vendosin popujt. Unë për veti propozoj këtë plotësim: lidhur me këtë të dytën, për Jugosllavinë për shtete të popujve, për të cilin do të vendosin popujt, më duket se nevojitet një distancim. Duhet të thuhet që këtë e shtroi Serbia, me qëllime të caktuara, jo për një Jugosllavi më të mirë, por është e shtruar si formë e presionit mbi Kroacinë dhe Bosnjën, si kërcënim për to, se nuk mund të konstituohen pa u copëtuar. Jam kundër një paralelizmi ekuivalent mes këtyre dy opsioneve. Duhet të dimë se ky opsion i dytë është thjesht një represion, një kërcënim dhe shantazh. Problemi kryesorë i Lëvizjes politike të shqiptarëve është si të zhbllokohet çështja shqiptare në Jugosllavi. Unë them se nëse nuk arrihet që Lëvizja politike shqiptare të organizohet dhe relativisht shpejtë, ajo realisht dështon. Nëse nuk arrijmë të zhbllokojmë këtë çështje vështirë se mundet të zgjidhen problemet. Duhet të ruhemi mos i bëjmë shërbim një politike e cila tash synon thjeshtë largimin tonë prej trojeve ku jemi. Ju lutem mos të duket kjo e tepruar, unë po përmendi që në Plenumin e shkurtit të vitit kaluar, Lidhja Komuniste e Serbisë alias Partia Socialiste e Serbisë, në kornizat e materialit për Kosovë, e ka të definuar thjesht objektivin e detyrave të kësaj Lidhje komuniste, e ajo është të ndërrohet struktura etnike e Kosovës. Strukturën etnike të Kosovës nuk mund ta ndërrojë me kolonizim, sepse nuk ka çka të ndërrojë. Strukturën etnike mund ta ndërrojë vetëm me dëbimi. Më duket shumë indikative një informatë që kemi pasur. Shkojnë rekrutët për të parën herë të rekrutohen dhe persona të caktuar ju thonë nëpër korridore të kazermave: pse nuk dilni jashtë, ne do t’ua kishim rregulluar pasaportat etj. Me fjalë tjera, duhet vazhdimisht të kemi edhe këtë element, t’i shohim çështjet se çka është e mundshme të ndodhin. Dhe në fund duhet një prej formulimeve themelore-qendrore në konkluzion të jetë përkrahja e jonë e plotë dhe vendosmëria e jonë për realizimin e Republikës së Kosovës”. Në bisedë u inkuadrua edhe Mahmut Bakalli, i cili tha se “Fehmia e tha dhe po e them edhe unë. Mos të themi se partitë tona u shndërruan në shtabe të operativës së vetëmbrojtjes, se frikohem se do t’i futnim partitë politike dhe Kuvendin në një nëntokë pa nevojë, kurse neve na nevojiten pa tjetër të jenë të dukshme…Jam dakord që Këshilli koordinues të jetë pjesë e një koordinim në mes të gjitha partive. Partitë politike tona duhet të ngelin për popullin tonë dhe për botën si parti legale dhe duhet mbrojtur legalitetin e tyre, autoritetin e tyre se janë parti politike demokratike e jo militante. Propozova që Këshilli mos të identifikohet me parti dhe Kuvend, por të jetë hallkë e Lëvizjes shqiptare në Jugosllavi”, tha ndër të tjera Bakalli. (vijon)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara